OEK e shqetësuar më zhvillimet në AKP
Prishtinë, 17 maj - Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe komuniteti i biznesit në përgjithësi janë duke përcjellë me vëmendje dhe shqetësim në te njëjtën kohë zhvillimet e fundit rreth funksionimit të Bordit të AKP-së, të karakterizuara me dorëheqje të anëtarëve dhe Kryetarit të Bordit të AKP-së.
OEK-u konsideron që të gjitha këto zhvillime, përcjellë me deklaratën e ambasadës së SHBA-së, që përfaqëson shtetin me kontributin më të lartë në shtet ndërtim dhe zhvillim ekonomik, ku konstatohen pengesa serioze në udhëheqjen e transformimit të pronës shoqërore, janë sinjali më i qartë që proceset që udhëhiqen nga AKP-ja nuk po shkojnë në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit, për më shumë po e dëmtojnë seriozisht imazhin e vendit në relacion me investitorët ndërkombëtar.
OEK-u edhe njëherë shpreh qartë mbështetjen institucionale për procesin e transformimit të pronës shoqërore, si një nga parakushtet për krijim të një strukture ekonomike që garanton rritje ekonomike të qëndrueshme, por kjo mbështetje e gjere nga komuniteti i biznesit duhet të shërbej në dobi të fuqizimit të procesit, e jo në dobi të degradimit të vazhdueshëm të këtij procesi vital për ekonominë e vendit.
Njëherit kërkojmë adresim të qartë, transparent dhe efikas të situatës së krijuar nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve tjera, përmes dhënies së rekomandimeve koncize për udhëheqje të mëtutjeshme të transformimit të pronës shoqërore nga AKP-ja si dhe zgjedhje te njerëzve kompetente dhe të gatshme për tu përballur me sfidat e këtij procesi dhe rrethanat ekonomike shoqërore në Kosovë.