OEK dhe OEAK konfirmojnë partneritetin në të mirë të sektorit privat
Prishtinë, 21 janar - Një delegacion i Odës Ekonomike të Kosovës, i kryesuar nga Kryetari Safet Gërxhaliu, ka vizituar sot Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, me rastin e zgjedhjes së Bordit të ri, ku ndër të tjera, u diskutua edhe për fuqizimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në mes të dy Odave, që janë zëri më i fuqishëm i sektorit privat në vendin tonë.
Me këtë rast, Presidenti i sapozgjedhur i Bordit të Drejtorëve të OEAK, Chris Jennions ka falënderuar OEK për vizitën, duke e vlerësuar takimin si një fillim të mbarë, për fuqizimin dhe promovimin e punës së përbashkët ndërmjet dy Odave, përfshirë këtu shkëmbimin e përvojave dhe sugjerimeve për një bashkëpunim sa më të frytshëm edhe ne vitet në vazhdim.
Ai shtoi gjithashtu se qëllimet dhe qëndrimet e përbashkëta, janë një ndër shtyllat kryesore që na mundësojnë të rrisim ndikimin tonë jo vetëm për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, por edhe në influencimin e politikave në nivel qeveritar, në favor të komunitetit të biznesit.
Në anën tjetër, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se partneriteti midis Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane duhet të shërbejë si model bashkëpunimi për të tjerët, si fuqi e re në për trajtim më të mirë të sektorit privat, sidomos tani në një periudhë kur agjenda politika dominon agjendën ekonomike.
Ai më tej tha se të dy odat ekonomike duhet të jenë më të zëshme në adresimin e nevojës së fuqizimit të sundimit të ligjit, i cili ndikon në tërheqjen e investimeve. Ai përmendi katër shtylla të cilat duhet të jenë pikësynim i punës së dy asociacioneve të biznesit: krijimi i vendeve të punës, përmirësimi i bilancit tejet negativ të pagesave, vetëdijesimi i konsumatorëve për produktet vendore dhe rritja e kredibilitetit të vendit karshi investitorëve të huaj duke bërë më shumë për ta.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se partneriteti serioz dhe konstruktiv midis dy odave më të fuqishme ekonomike në vend është për çdo lavdatë, duke theksuar se edhe Oda Amerikane edhe Oda Ekonomike e Kosovës në shumicën e rasteve kanë ndarë pikëpamje të përbashkëta për shumë çështje që kanë të bëjnë me bizneset. Ai sugjeroi që të dy odat ekonomike duhet të dalin me një platformë të përbashkët për promovimin e mundësive të investimit në Kosovë.
Në anën tjetër, Këshilltari Strategjik i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane kanë qenë përfaqësues të denjë të komunitetit të biznesit në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, duke përmendur një sërë iniciativash në të mirë të bizneseve siç janë ato për Ligjin e Punës, promovimin e klauzolave të arbitrazhit në Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Festat Zyrtare, të ngritura nga të dy odat bashkërisht. Ai gjithashtu përmendi edhe nevojën e harmonizimit të nxitësve fiskalë në kuadër të pakos së re të promovuar.
Konkluzion i përbashkët i drejtuesve të të dy odave më të fuqishme ekonomike në vend ishte edhe pakënaqësia me mosfunksionimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, duke e theksuar nevojën e vazhdimit të punës së Këshillit dhe rritjes së dinamikës së tij në të ardhmen e shpejtë.