OEK dhe OEAK kërkojnë lehtësira fiskale për sektorit privat
Prishtinë, 20 shkurt - Duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat po përballet sektori privat gjatë këtij viti është e nevojshme që institucionet e vendit të përshpejtojnë dinamikën e tyre në implementimin e pikave të rezolutës së fundit të Kuvendit.
Ky ishte rekomandim i përbashkët i dalë gjatë takimit të drejtuesve të Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka.
Sipas drejtuesve të dy asociacioneve të biznesit, një kërkesë e tillë duhet të merret në konsideratë me seriozitetin më të lartë duke pasur parasysh rritjen jo të kënaqshme ekonomike, rënien e fluksit të investimeve të huaja direkte, normat e larta të papunësisë dhe indikatorët e tjerë ekonomik e social të cilët kanë bërë që një pjesë e qytetarëve të humbin shpresën për të ardhmen.
Largimi i fuqisë punëtore do të kishte pasoja të rënda edhe për vetë ndërmarrjet kosovare.
Gërxhaliu dhe Zeka pohuan se në rrethana të tilla, institucionet e vendit do të duheshin të ishin më aktive në kontekst të nxjerrjes së akteve ligjore dhe nënligjore të cilat do të hapnin perspektivën zhvillimore të sektorit privat, si bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.
Ata poashtu thanë se është utopike të mendohet se ruajtja e stabilitetit politik, ekonomik e social do të mund të bëhet përmes marketingut ose fushatave vetëdijësuese, duke u shprehur se vetëm veprimet konkrete për fuqizimin e sektorit privat do të mundësonin forcimin e këtij stabiliteti.
Prandaj, ata kërkuan nga institucionet përkatëse që urgjentisht të zbatojnë pikat e rezolutës me theks të veçantë ndryshimin e politikave fiskale në përputhshmëri me kërkesat e bizneseve, zgjerimin e mëtejmë të listës së lëndëve të para dhe makinerive të cilat do të liroheshin nga detyrimet doganore dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, duke rritur kështu pozitën konkurruese të prodhimeve vendore karshi atyre të importuara.
Dy odat ekonomike në fund kërkuan edhe ndryshim plotësimin më të shpejtë të ligjeve tatimore të cilat do të mundësonin hyrjen në fuqi të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të prillit të vitit 2014 për lehtësirat tatimore për investimet e reja si parakusht për nxitjen e investimeve të brendshme dhe tërheqjen e investimeve të huaja, duke theksuar se ky vendim i Qeverisë së kaluar është në përputhje me kërkesën e rezolutës për krijimin e menjëhershëm të lehtësirave doganore dhe administrative për të gjithë ata të cilët hapin më shumë se dhjetë vende të punës.