OEK dhe Dogana model i bashkëpunimit institucional
Prishtinë, 2 korrik - Kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu në një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës Naim Huruglica ka thënë se është dëshmitarë i një partneriteti konstruktiv në mes të Doganës së Kosovës dhe Odes Ekonomike të Kosovës, një partneritet i cili duhet të jetë model edhe për institucione dhe agjensione tjera në vend dhe jashtë vendit.
Rrugëtimi në familjen Evropiane sipas tij kërkon edhe integrim ekonomik prandaj dialogu dhe partneriteti i mirëfilltë janë rruga e cila duhet të ndiqet që Kosova të vendoset në këta binarë.
Gerxhali ka thënë se për debate lidhur me aspektin ekonomik në Kosovë dhe ankesat nga komuniteti i biznesit vendor Dogana e Kosovës ka qenë gjithnjë e hapur ku edhe sot takohemi me kërkesë të bizneseve vendore për të biseduar lidhur me udhëzimet e reja të lëshuara nga Dogana e Kosovës , në lidhje me procedurat e importit.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Huruglica falënderoi Kryetarin e OEK-ut Gërxhaliu për angazhimin e tij permanent për mbështetje të komunitetit të biznesit vendor dhe njëherit e siguroj OEK-un , se të gjitha ndryshimet shkojnë në favor të biznesit prodhues dhe përpunues, me theks të veçantë stimulimin e eksportit.
Dogana me sistemin e ri elektronik që ka futur në funksion në shtator 2012 si dhe me ndryshimet që vazhdimishtë po ndërmerre, ka për qëllim lehtësimin e mëtutjeshëm të procedurave por edhe ngritjen e nivelit të mbikëqyrjes dhe kontrollit.
\"Qëllimi ynë si Doganë është të jemi në funksion të zhvillimit dhe qëndrueshmërisë ekonomike bazuar në transparencë, dialog dhe partneritet me sektorin privat në veçanti me ju si përfaqësues të biznesit dhe mu kjo qasje na bënë komod që të ballafaqohemi me të gjithë ata që mendojnë se ekzistojnë barriera eventuale\", ka theksuar Huruglica.
Kryetari i OEK-u Gërxhaliu theksoi se ditëve të fundit kemi pasur ankesa nga sektori privat në veçanti nga bizneset që merren me tregti se ndryshimet e fundit e ndërmarrura nga Dogana e dëmtojnë ambientin biznesor në Kosovë dhe këto shqetësime i diskutuam edhe sot në këtë takim.
\"Më gëzon fakti që Dogana është e hapur për dialog të drejtë për drejtë me të gjithë ata që mendojnë se janë të dëmtuar e në veçanti më la mbresë qasja e Doganës për të mbështetur sa më shumë që është e mundur prodhimin dhe përpunimin vendor si dhe eksportet kosovare. Realizimi i këtyre qëllimeve me siguri do të jetë garracë e qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale në Kosovë\", përfundoi ai.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Kryetari i Shoqatës së importuesve të Naftës pranë OEK-ut Nazmi Bytyqi i cili debatoi lidhur me sfidat e këtij sektori dhe kërkoi nga Dogana që në bashkëpunim me MTI-në të avancohet dialogu dhe përveç tjerash të shikohet mundësia që pagesa e konformitetit të hiqet nga kufiri dhe të bartet tek Dogana me qëllim të eliminimit të mundësisë për ngritjen e kostos së importit të derivateve të naftës që në fund e godasin konsumatorin vendorë.