OEK avancon bashkëpunimin ekonomik me Greqinë
Selanik, 7 nëntor - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu me rastin e vizitës në Greqi sot është takuar me Shoqatën e Bizneseve Ndërkombëtare Greke në Selanik udhëhequr nga Nënkryetari Dr. Anastasios Alexandridis.
\"Jemi këtu për të shpalosur mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në mes të komunitetit të biznesit kosovar dhe ati greke dhe atë në fusha të ndryshme. Jemi të bindur se avancimi i bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Greqisë do të përshpejtojë proceset e përafrimit edhe të interesave politike.\"
\"Si Odë Ekonomike e Kosovës jemi të mendimit se ekziston hapësirë e pa shfrytëzuar ekonomike në raportet Kosove Greqi sidomos në mungesë të komunikimit të mirëfilltë dhe të një partneriteti të mirëfilltë.\"
\"Duhet të jemi të orientuar në këmbimin e informacioneve ekonomike, në organizimin e misioneve tregtare me të dyja shtetet, në organizimin e panaireve të përbashkëta, në të dyja shtetet dhe pjesëmarrje të përbashkët në të tretat dhe në veçanti përgatitje e përafërt e projekteve të ndryshme në interes të të dyja ekonomive të cilat do të financohen nga fonde të ndryshme të bashkimit evropian dhe donatorëve të ndryshëm\" theksoi Gërxhaliu.
Alexandridis foli në emër të SEVE (Greek International Business Association) shprehi falënderimin e vizitës së delegacionit kosovar dhe njeherit shprehi vullnet të madh për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me Kosovën.
SEVE është e themeluar në vitin 1975 dhe nën ombrellën e vetë ka 750 kompani dhe fabrika më të mëdha greke të cilat janë aktive në mbare botën. Interesi ynë për tregun kosovar nuk është vetëm tregtia por edhe gjetja e mundësive më të avancuara për bashkëpunim duke përfshire investimet, prodhimin, transferin e teknologjisë dhe të sistemit Know-How por edhe të promovohen mundësitë që i ofron Greqia për bashkëpunim me Kosovën në fusha të ndryshme.
\"Këtë bashkëpunim do ta konkretizojmë me një Memorandum bashkëpunimi i cili do të nënshkruhet në Prishtinë në fillim të Dhjetorit ku do të organizohet edhe një forum ekonomik Greqi-Kosovë si dëshmi e gatishmërisë tonë për bashkëpunim me Kosovën\",përfundoi Alexandridis.