OEGJK e shqetësuar me bllokimin e punës së tre bizneseve
Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, kërkon nga institucionet përgjegjëse, veçanërisht nga Ministria e Infrastrukturës, që urgjentisht të gjej zgjidhjen dhe të ju mundësoj këtyre tri kompanive të zhvillojnë aktivitetin e përditshëm
Oda Ekonomike Gjermano Kosovare është e njoftuar me kohë dhe ka përcjellë në vazhdimësi zhvillimet rreth problemit të tri kompanive respektive, dhe është skajshmërisht e habitur me neglizhencën e Ministrisë së Infrastrukturës, për të bërë zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Duam të kujtojmë institucionet tona, se qasja e tillë ndaj bizneseve, është e papranueshme për Odën Ekonomike Gjermano Kosovare, është e dëmshme për zhvillimin ekonomik të vendit, është tërësisht e kundërta e asaj çfarë duhet të bëhet për thithjen e investimeve, është e kundërta e inkurajimit të investimeve në përgjithësi dhe mbi të gjitha është një shtypje e pashembullt ndaj bizneseve aktive, të ndershme, lojale e taksapaguese të mëdha siç janë Xella, Eskavatori e Dino.
Shembulli i këtillë që japin institucionet tona, duke bllokuar bizneset, nuk i kontribuon imazhit të përmirësimit të ambientit të të bërit biznes, por është vetëm edhe një dëshmi e keqe se kujdesi ndaj bizneseve në vendin tonë është dekurajues e larg nga të qenurit i duhuri.
Duam të kujtojmë të gjitha institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, se mbyllja e rrugës së këtyre tri kompanive, në mesin e tyre edhe kompani gjermane siç është Xella L.L.C, me furnizim me materiale të lëndës së parë, rrezikon mbylljen përfundimtare të tyre, që nënkupton humbje të mbi 25 milion eurove investime dhe mbylljen e mbi 500 vendeve të punës.
Të tri kompanitë, për një kohë të gjatë mbi tre muaj, kanë njoftuar dhe kanë qenë në kontakt me drejtuesit e institucioneve dhe udhëheqësit e Bechtel Enka, duke i paralajmëruar ato se mbyllja e rrugës nga autostrada Arbër Xhaferi, mes fshatrave Smallushë dhe Dobratin të Lipjanit, rrezikon tua shuaj bizneset, dhe u kanë ofruar alternativa të zgjidhjes së çështjes. Por për habinë e të gjithëve, ato as nuk kanë shprehë gatishmërinë të ofrojnë zgjidhje, dhe si pasojë këto ndërmarrje, tashmë gjenden para falimentimit real.
Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, do të përdorë të gjitha mjetet legjitime, për të mbrojtur funksionimin e këtyre ndërmarrjeve, duke i mbështetur ato në kërkesën për gjetjen e një alternative për zhvillim aktiviteti, duke njoftuar të gjitha institucionet vendore dhe partnerët tonë ndërkombëtar, për të mos lejuar shuarjen e tyre, çka do të prodhonte pasoja shumë të mëdha qoftë për vetë kompanitë, për ekonominë apo imazhin e vendit.
Ftojmë edhe një herë mekanizmat përgjegjës, që këtë çështje ta zgjidhin sa më shpejtë që është e mundur, në të kundërtën nuk ka asnjë arsye e kuptim që të thërrasim investitorët e jashtëm për të investuar në Republikën tonë, kur nuk i mbrojmë dhe nuk tregojmë kujdes as për bizneset që kanë investuar dhe operojnë suksesshëm.