OEGJ premton mbështetje për zhvillimin ekonomik
Mitrovicë, 28 janar - Përfaqësuesit e Odes Ekonomike Gjermane në Kosovë, gjatë një vizite që i bënë të martën kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, kanë shpreh përkushtimin e tyre për bashkëpunim për realizimin e projekteve zhvillimore ekonomike.
Me theks të veçantë u përmendën projektet, të cilat i ka shpalosë kryetari Bahitri dhe që synon ti realizoj gjatë mandatit.
Me këtë rast, u bisedua edhe për krijimin e Zonës së lirë ekonomike në Mitrovicë, e cila do të ndihmonte Mitrovicën sa i përket zhvillimit ekonomik. Në këtë kontekst u bisedua edhe për mundësitë e thithjes së investimeve ndërkombëtare, sidomos atyre gjermane.
Lulzim Syla, nga Oda Ekonomike Gjermane, deklaroi se janë të gatshëm të asistojnë tek kryetari dhe autoritete komunale në Mitrovicës, me gjitha kapacitetet që kanë në mënyrë që Mitrovica ti paraqet mundësitë që ka për investitorët e huaj.
Kemi ardhur të takohemi për ti biseduar pikat e përbashkëta ndërmjet Odes Ekonomike Gjermane dhe Komunës së Mitrovicës për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Unë jam i bindur se ka shumë kompani gjermane që janë të gatshme dhe mund të investojnë në Kosovë e në Mitrovicë, deklaroi Syla.
Në anën tjetër kryetari Bahtiri, i njoftoi mysafirët për resurset e mëdha që ka aktualisht Mitrovicë. Mitrovica ka një terren shumë të përshtatshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ne si autoritete komunale po bëjmë krejt çka është e mundur që të fillohet me investime ndërkombëtare, ka deklaruar Bahtiri.
Ai shtoi se është mëkat që qytetarët e Mitrovicës të flenë mbi ari, e të mos kenë bukë për të ngrënë.
Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermane, paraqitën edhe një listë veprimesh që do ishin shumë të domosdoshme për thithjen e investimeve ndërkombëtare. U tha se do të ishte shumë produktive të bëhet dizajnimi i projekteve për thithjen e investimeve ndërkombëtare, pastaj u bisedua edhe se si të krijohet një besëlidhje-ndërkomunale për klasifikimin e punëtorëve, për ISO-standardet, për përdorimin e energjisë efiqiente etj.