OECD alarmon për papunësinë e të rinjëve
Vjenë, 17 shtator - Papunësia rrezikon të mbetet për një kohë të gjatë e lartë në vendet e OECD-së, ndërsa rritja e madhe e papunësisë tek të rinjtë si dhe papunësia afatgjatë janë veçanërisht alarmante, paralajmëroi sot OECD-ja, duke u bërë thirrje qeverive të marrin masa kundër këtij problemi.
\"Papunësia mbetet ende e lartë në zonën e OECD-së dhe parashikimet e fundit ekonomike lënë të mendosh se krijimi i vendeve të punës pritet të jetë tepër i ulët në një hark të shkurtër kohor\", shton Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në raportin për perspektivat e punësimit në vitin 2011, bërë publik sot.
Pasi arriti pikun për shkak të krizës, 8,7 për qind në fund të 2009, kundër 5,7 për qind në fillim të 2008, niveli i papunësisë është ulur shumë pak në vendet e OECD-së, duke shkuar në 8,2 për qind në korrik.
Në mes të vitit, papunësia ishte pak më shumë se 44 milionë persona në 34 vendet anëtare të OECD-së.
\"Rreziku që niveli i papunësisë të vazhdojë është shtuar paralelisht me kohëzgjatjen\", paralajmëron Organizata.
\"Bëhet fjalë për pjesën njerëzore të krizës\", nënvizoi gjatë një konference shtypi sekretari i përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurria, që vuri në dukje dy probleme madhore: papunësia tek të rinjtë dhe papunësia afatgjatë, që po rrit ndjeshëm rrezikun e varfërisë.