OEAK: Qeveria të sigurojë lëvizjen e lirë të mallrave përgjatë kufijve
Prishtinë, 20 shtator - Si pjesë e përpjekjeve të saj për të avokuar mbi krijimin e një ambienti më të mirë afarist në vend, Oda Ekonomike Amerikane shpreh shqetësimet e saja mbi procedurat e paprecedent me të cilat ballafaqohen kompanitë që importojnë apo eksportojnë përmes pikës kufitare në Han të Elezit.
Kompanitë të cilat nuk i kompletojnë procedurat e zhdoganimit në terminalin doganor në këtë pikë kufitare, por që e shfrytëzojnë rrugën si transit për mallrat nga ose për Maqedoninë, janë të detyruara të paguajnë tarifat normale për shfrytëzimin e terminalit doganor.
Për momentin, kamionët janë të detyruar të kalojnë nëpër këtë rrugë në mungesë të një rruge alternative që do të lidhte Maqedoninë me Kosovën, e që nuk do të kalonte përmes terminalit me pronësi private.
\"Është e kuptueshme që përdorimi i vendeve të parkingut të terminalit do të kishte koston e vet dhe se kompanitë duhet të paguajnë tarifat e caktuara nga terminali për rruajtjen e mallrave në objektet e terminalit.\"
\"Sidoqoftë, është e vështirë të gjehet një shpjegim mbi faktin se kompanitë që importojnë apo eksportojnë mallra u nënshtrohen këtyre tarifave edhe për kalim transit përmes terminalit\", theksohet në komunikaten e OEAK-ut.
Sipas legjislacionit në fuqi, përpos procedurave tradicionale të importit, kompanitë e autorizuara kanë të drejtë të kryejnë procedurat e zhdoganimit të brendshëm në cilindo nga terminalët doganorë në Republikën e Kosovës, të licencuara nga Ministria e Infrastrukturës.
OEAK thekson se kompanive që kalojnë transit përmes terminalit doganor u kërkohet të paguajnë një tarifë, që do të thotë që atyre u kërkohet të paguajnë dyfish për shërbimin e njëjtë, rrjedhimisht duke rritur koston e transportit për mallrat që hyjnë përmes pikës kufitare në Han të Elezit.
Një situatë e tillë sipas OEAK dëmton konkurrueshmërinë në sektorin privat në Kosovë, duke rezultuar kështu në një ambient edhe më të vështirë të të bërit biznes në vend.
Duke pasur parasysh urgjencën e kësaj çështjeje, Oda Ekonomike Amerikane i bën thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe autoriteteve tjera Qeveritare që të marrin të gjitha masat e nevojshme që të sigurohet një lëvizje e lirë e mallrave në vend.
Një nga hapat e parë duhet të jetë edhe hapja e një rruge publike që do të mundësonte kompanive që merren me transportin e mallrave të kalojnë lirshëm përmes kufijve të Kosovës. Për më shumë, besojmë që një hap i tillë do të ishte në përputhje me përpjekjet e përgjithshme të qeverisë për krijimin e një ambienti më të favorshëm afarist në vend.
Oda Amerikane mbetet e përkushtuar për të avokuar për krijimin e një ambienti të përshtatshëm afarist që inkurajon konkurrencën e lirë dhe stimulon zhvillimin, duke besuar fuqishëm në rëndësinë e sektorit privat si bartës i zhvillimit ekonomik në vend.