27 Prill 2025

OEAK prezanton mundësitë e investimeve për sllovenët në Kosovë

Lubjanë, 4 prill - Në përvjetorin e parë të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qendrës për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve të Odës Amerikane me Tribunalin Permanent të Arbitrazhit të Sllovenisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) në bashkëpunim me Odën e Ekonomisë dhe Industrisë të Sllovenisë organizuan forumin e parë të bizneseve dhe arbitrazhit në Lubjanë të Sllovenisë, ku morën pjesë një numër i madh i bizneseve nga Kosova dhe nga Sllovenia.

Në këtë ngjarje ishte i pranishëm edhe Drejtori i Departamentit për Përkrahjen e Investimeve të Diasporës, Naim Dedushaj, nga Ministria e Diasporës e cila ishte përkrahëse e këtij forumi.

Në hapje të forumit, Presidenti i Odës së Ekonomisë dhe Industrisë së Sllovenisë, Samo Hribar Miliq, tha që është esenciale për të dyja vendet të cilat ndajnë shumë çka të përbashkët që të takohen më shpesh, e sidomos për bizneset e Kosovës që të vizitojnë Slloveninë dhe të promovojnë eksportet e tyre duke e pasur parasysh nivelin e ulët të eksporteve nga Kosova në Slloveni, duke theksuar se Sllovenia do të mund të shërbente si urë lidhëse për pasimin e produkteve të Kosovës në shtetet e tjera të BE-së.

Ai më tej tha se takimet midis bizneseve si ky i organizuar nga Oda Amerikane dhe Oda Sllovene ndihmojnë në krijimin e rrjetëzimit midis bizneseve. Ai shprehu kënaqësinë e tij për zhvillimin e partneritetit midis Odës Sllovene dhe Odës Amerikane në Kosovë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se Kosova gjithmonë ka llogaritur në përkrahjen e popullit dhe shtetit të Sllovenisë dhe se do të vazhdojë të llogarisë edhe më tej derisa Kosova i afrohet integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai tha se Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për investitorët slloven të cilët edhe ashtu janë mjaft të pranishëm në Kosovë.

Zeka më tej ftoi bizneset nga Kosova që t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Presidentit të Odës Sllovene për të parë mundësitë e plasimit të produkteve të tyre në BE përmes Sllovenisë.

Sekretari Gjeneral i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, potencoi përmirësimet që janë bërë viteve të fundit në mjedisin e të bërit biznes në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e rritjes së eksporteve të Kosovës në Slloveni që do të ndikonte në zbutjen e deficitit tregtar me të cilën përballet vendi ynë.

Ndërsa, Sekretari Gjeneral i Qendrës për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve Ardi Shita foli për rëndësinë e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Kosovës dhe Sllovenisë në fushën  arbitrazhit tregtar, si një mundësi e mirë për fuqizimin e mëtejmë të marrëdhënieve afariste midis të dy shteteve,  por edhe si një garanci për investitorët e të dyja vendeve.

Ai gjithashtu prezantoi të dhënat ekonomike të Kosovës, por edhe mundësitë e investimit në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)