OEAK përshëndet marrëveshjen për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Prishtinë, 24 mars - Oda Ekonomike Amerikane (OEAK) përshëndet marrëveshjen e arritur së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Oda Amerikane beson fuqishëm se marrëveshja do të hapë mundësitë e zhvillimit ekonomik për të dyja shtetet, duke përmirësuar shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve.
Derisa të dyja shtetet konfirmojnë obligimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të shkuara, Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për Qeverinë e Kosovës që t’i bashkohet iniciativës së Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë për treg të përbashkët rajonal, të sipas dakordimit të bërë në Uashington më 4 shtator 2020.
Oda Amerikane u bënë gjithashtu thirrje të dyja shteteve që të respektojnë zotimet e dhëna më parë për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Zhvillimi i infrastrukturës së transportit, së bashku me njohjen reciproke të diplomave universitare dhe certifikimeve profesionale do të mundësojnë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, si edhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, duke përmirësuar në këtë mënyrë mobilitetin e bizneseve dhe profesionistëve brenda hapësirës së Ballkanit të Hapur.
Në fund, duke kuptuar rëndësinë që marrëveshja do të ketë për Kosovën, Serbinë dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë do të përkrahë përpjekjet e mëtejme për normalizim ekonomik, duke avokuar pranë qeverive për heqjen e barrierave ekzistuese, si dhe do të ofrojë mundësi rrjetëzimi për bizneset në tërë rajonin.