OEAK: Partitë në programet e tyre të përfshijnë politika zhvillimore
Prishtinë, 13 maj - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), u ka dërguar Letër të hapur të gjitha partive politike.Zhvillimi ekonomik i udhëhequr nga sektori privat dhe një dialog i mirëfilltë publiko-privat janë dy nga elementet kryesore në fokusin e aktivitetit dhe avokimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, veçanërisht në vitet pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
"Oda Amerikane vazhdimisht ka theksuar rëndësinë e fuqizimit të sektorit privat, që do t'i hapte rrugë zgjidhjes së sfidave të shumta sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohet Kosova në aspektin e papunësisë, mungesës së investimeve, bilancit jo të favorshëm tregtar etj. Veç kësaj, Kosova vazhdon të përballet me sfida të rëndësishme të cilat mund të adresohen vetëm përmes një dialogu të mirëfilltë në mes të sektorit publik, komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile", thuhet në letër.
Sipas OEAK-ut, mekanizmat si Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik kanë mundësuar një platformë të mirë për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij dialogu.
Derisa u afrohemi zgjedhjeve parlamentare të datës 8 qershor 2014, Oda Amerikane beson se është koha e duhur që partitë politike në Kosovë të reflektojnë lidhur me atë që është bërë deri tani, cilat janë sfidat nëpër të cilat do të kalojë Kosova në vitet në vijim dhe cilat janë disa nga politikat që duhet të promovohen në programet politike, që do ti hapnin rrugë një zhvillimi të përshpejtuar ekonomik.
Si një nga shoqatat më të mëdha të biznesit në vend, Oda Amerikane ka mbështetur çdo politikë dhe iniciativë që ka për qëllim krijimin e një ambienti më të favorshëm afarist, përderisa ka bërë të ditur pakënaqësitë e saj për çështjet dhe politikat që nuk i kanë sjellë dobi qëllimeve të cekura më lartë.
Përderisa eliminimi dhe ulja e procedurave burokratike dhe krijimi i lehtësirave fiskale duhet të mirëpriten nga të gjithë, Oda Amerikane thekson se forcimi i mëtejmë i sundimit të ligjit është i një rëndësie tejet të lartë. Një sistem gjyqësor që funksionon si duhet dhe mekanizmat më të mirë të zbatimit të kontratave janë ndër shtyllat kryesore për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, siç theksohet edhe në Raportin e Bankës Botërore të të Bërit Biznes.
Një gjë e tillë do të krijonte parakushtet për krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e aktiviteteve afariste dhe inkurajimin e tregtisë ndërkombëtare.
Përderisa Kosova duhet të vazhdojë aktivitetet e harmonizimit të legjislacionit nacional me atë të Bashkimit Evropian, një element tjetër që nuk duhet anashkaluar është implementimi i duhur dhe konsistent i legjislacionit nga institucionet përgjegjëse. Beteja kundër korrupsionit, një fenomen që perceptohet të jetë shumë i pranishëm nëpër institucione publike, duhet të ashpërsohet. Përderisa institucionet publike vazhdojnë të mbeten blerësit më të mëdhenj të mallrave dhe shërbimeve në vend, kjo shton rëndësinë e eliminimit të korrupsionit nga të gjitha aktivitetet e prokurimit publik.
Në këtë drejtim, institucionet duhet të zotojnë më shumë burime njerëzore dhe financiare, e mbi të gjitha, të tregojnë një përkushtim më të madh në luftimin e këtij fenomeni.
Oda Amerikane u bën thirrje partive politike që në programet e tyre të përfshijnë politika zhvillimore dhe miqësore ndaj biznesit, në mënyrë që të nxitet një zhvillim më i shpejtë ekonomik i udhëhequr nga sektori privat, që do të mundësonte përshpejtimin e perspektivave integruese të vendit dhe do të përmirësonte mirëqenien e përgjithshme të të gjithë qytetarëve.
Oda Amerikane mbetet e përkushtuar që të japë kontributin e saj të parezervë në të gjitha proceset e rëndësishme nëpër të cilin po kalon vendi ynë.