OEAK organizon panairin e punës
Prishtinë, 8 maj - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), me përkrahjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, organizoi Panairin Tradicional të Punës në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, organizim ky tanimë tradicional i Odës.
Në fjalët hyrëse, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i OEAK, falënderoi Ministrinë e Punës për mbështetjen e dhënë, dhe tha se ky është organizimi i 10-të i Panairit të punës, që nga themelimi i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, duke kontribuar kështu në krijimin e një platforme punësimi për studentët si dhe duke u ofruar punëdhënësve mundësi për të kontaktuar drejtpërdrejtë me punonjësit potencial.
Ai theksoi se OEAK do të vazhdojë të jap kontributin e saj në zhvillimin ekonomik të vendit përmes organizimeve të tilla.
Presidenti i Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane, Erolld Belegu, theksoi se sektori privat vazhdon të jetë punëdhënësi më i madh në vend, që ofron mundësitë më të mira për punësimin e të rinjve, gjithashtu duke rikujtuar se Kosova gjendet në një fazë të zhvillimit ekonomik që kërkon shumë punë dhe përkushtim.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq përshëndeti iniciativën për organizimin e panairit të punës, duke thënë se përkundër sfidave të shumta, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për zhvillim ekonomik dhe se sheh sektorin privat si një ndër partnerët kyç drejt kësaj rruge.
Gjatë kësaj dite, panairi ka pasur më tepër se 500 vizitorë, ku shumica prej tyre përfshijnë studentë nga universitetet shtetërore dhe private, por edhe të diplomuar në kërkim të fillimit të karrierës së tyre apo gjetjes së ofertave më të favorshme për punë.
Kompanitë pjesëmarrëse në panair ishin: Banka Kombëtare Tregtare, PriveWaterHouse Coopers, Kolegji Universum, Coca Cola Hellenic, Sigal Uniqa Group, Boga & Associates, Universiteti Iliria, ProCredit Bank, Hoteli Victory, Xhad Studios, Telegrafi, Elkos Group, Viva Fresh, Meridian, KMPG dhe OEAK.
Panairi i Punës është organizim tradicional i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe ka për synim të kontribuojë në zbutjen e papunësisë në vend dhe krijimin e një koncepti të ri të kërkimit të punës.
Gjithashtu, panairi ka për qëllim të ndihmojë dhe udhëzojë studentët rreth procesit të punësimit dhe të inorfmojë ata më shumë rreth kërkesave dhe propsekteve të karrierës tek bizneset kosovare.