OEAK ndihmon personat e prekur me sindromin down
Prishtinë, 10 dhejtor - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) organizoi Galla Darkën Vjetore të Bamirësisë, ngjarje kjo tashmë tradicionale e Odës Amerikane, me qëllim të mbledhjes së mjeteve financiare për mbështetjen e qëllimeve të ndryshme të bamirësisë.
Ngjarja e këtij viti kishte për qëllim kryesor mbledhjen e fondeve për organizatën Down Syndrome Kosova, e cila përfaqëson personat e prekur nga sindromi down.
Oda Ekonomike Amerikane poashtu njoftoi për themelimin e Fondacionit të Bamirësisë të Odës Amerikane, qëllimi i të cilit do të jetë mbështetja e vazhdueshme e projekteve të bamirësisë të organizatave të cilat përfaqësojnë grupet më të ndjeshme të shoqërisë të cilat nuk gëzojnë mbështetje të nevojshme.
Fondet e mbledhura për qëllime bamirësie gjatë darkës vjetore të Odës Amerikane tejkalojnë shumën e 32.000 eurove, ndërsa kjo u bë e mundur duke ju falënderuar bizneseve të shumta, ministrive e organizatave të tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Me fondet e mbledhura do të mundësohet blerja e një pajisjeje për paketimin e mjaltit, i cili do ti mundësojë organizatës Down Syndrome Kosova që të bëhet e vetëqëndrueshme, ndërsa pjesa e tjetër e fondeve të mbledhura do të shpërndahet nga Fondacioni i Bamirësisë për projekte të tjera.
Kontribuuesit më të mëdhenj të kësaj ngjarjeje ishin: Meridian Corporation, Dukagjini Group, Sharrcem, Banka Kombëtare Tregtare, Banka TEB, Ferronikeli, Bechtel Enka, Devolli Corporation, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Boga & Associates, Pallaska & Associates, Banka për Biznes, Llamkos GalvaSteel, Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, Universiteti Amerikan në Kosovë, Radiotelevisioni 21, KOSTT, Marigona Residence, NLB Prishtina, ProCredit Bank, Z Mobile, Baker Tilly Kosova, Pestova, IPKO Foundation, Pestova dhe Kreatoda.