OEAK mbledh fonde për organizatën Aksioni për Nëna dhe Fëmijë
Prishtinë, 14 dhjetor - Duke ju falënderuar kontributit të bizneseve kosovare, Oda Amerikane ka arritur të mbledh rreth 40.000 euro, pjesa më e madhe e të cilave do ti ndahen organizatës Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, e cila ofron përkrahje kryesisht për fëmijët e lindur parakohe.
Në darkën e saj vjetore gala të bamirësisë, drejtuesit më të lartë të Odës Amerikane falënderuan bizneset që me gjithë vështirësitë e shumta me të cilat përballen ata nuk lënë kurrë anash edhe kujdesin për individët dhe grupet e shoqërisë që mund të kenë nevojë për ndihmë të tillë.
Në të njëjtën kohë Oda Amerikane shënoi edhe përvjetorin e parë të themelimit të Fondacionit të Bamirësisë të Odës Amerikane të krijuar pikërisht në dhjetorin e vitit 2012, kur përmes të njëjtit organizim Oda Amerikane kishte mbledhur fonde për blerjen e një pajisje për paketimin e mjaltit për organizatën Down Syndrome Kosova.
Ndër kompanitë që dhanë kontributin e tyre për organizimin e kësaj darke të bamirësisë ishin: BechtelEnka, Devolli Corporation, Limak Kosovo, TEB Bank, Banka Kombetare Tregtare, NewCo Ferronikeli, PTK Vala, Llamkos GalvaSteel, Banka për Biznes, HIB Petrol, Z mobile, Railtrans, Marigona, Pestova, Sharrcem dhe Crimson Capital.
Oda Ekonomike Amerikane tash e një kohë të gjatë organizon darkën vjetore të bamirësisë dhe do të vazhdojë me iniciativa të tilla edhe në të ardhmen, me shpresën që mbështetja e bizneseve dhe institucioneve vendore do të vazhdojë të mos mungojë siç nuk ka munguar deri më tani.