OEAK kundër ngritjes së TVSH-së
Prishtinë, 26 janar - Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) dhe Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK) kanë bërë të ditur se në takimin e mbajtur më datë 25.01.2011 në Ministri të Ekonomisë dhe Financave e cila ka pasur si synim identifikimin e fushave për krijimin e lehtësirave për biznesindhe eliminimin e barrierave, kanë paraqitur propozime konkrete të cilat do të ndikonin në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm të bërjes së biznesit në Kosovë.
OEAK dhe STIKK mbeten të befasuara nga lajmi se gjatë takimit është diskutuar ngritja e TVSH-së sepse kjo çështje nuk ka qenë temë diskutimi. Më tej, njoftimi për ngritjen e TVSH-së nuk është në vijë me premtimet e dhëna nga qeveria për përmirësimin e ambientit biznesor në Kosovë si dhe mosngritjen e ngarkesës fiskale.
Ne përkrahim plotësisht zgjerimin e bazës së tatimpaguesve në Kosovë, si dhe futjen e sa më shumë bizneseve në kuadër të ekonomisë formale për të siguruar të hyra më të mëdha dhe klimë të barabartë për të gjitha ndërmarrjet.
Në Kosovë urgjentisht nevojitet krijimi i vendeve të qëndrueshme të punës të cilat do të vinin nga rritja e investimeve të huaja direkte, investimeve vendore, e të cilat rrezikohen seriozisht në rast të ngritjes së barrës fiskale nëpërmjet të rritjes së normës tatimore dhe aplikimit të masave ndëshkimore, e që kanë për qëllim rritjen e të hyrave. Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të theksojmë se rritja e TVSH-së do të ketë ndikim në ngritjen e çmimeve si tatim i konsumatorëve, e që në fund do të zvogëloj efektet e ngritjes së pagave të parapara nga ana e qeverisë.