OEAK: Kontrata kolektive bart në vete obligime dhe detyrime shtesë
Prishtinë, 7 janar - Me fillimin e vitit 2015, kur edhe pritet të hyjë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), shpreh shqetësimin e saj lidhur me paqartësitë që burojnë nga kjo kontratë që bart në vete obligime dhe detyrime shtesë nga ana e punëdhënësve.
Një dokument i tillë padyshim se kërkon një vëmendje të veçantë nga të gjitha palët e interesit dhe detyrimisht kërkon një bazë të qartë ligjore.
Lidhur me këtë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, pas konsultimit të kompanive të saj anëtare, përmes një shkrese dërguar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në nëntor 2014, ka ngritur shqetësimin e saj mbi mospërputhshmërinë e disa neneve të marrëveshjes kolektive me Ligjit Themelor të Punës.
Aq më tepër, detyrimi ligjor për zbatim të Marrëveshjes Kolektive nga ana e të gjitha ndërmarrjeve është në kundërshtim direkt me Nenin 90.5 të Ligjit të Punës, që ka të bëjë me palët që detyrohen të zbatojnë këtë kontratë, ku ceket se
Marrëveshja Kolektive vlen për ata punëdhënës dhe punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet e përcaktuara me Marrëveshjen e tillë Kolektive. Përkundër faktit se interpretimi i ligjit është detyrë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Oda Ekonomike Amerikane ende nuk ka pranuar një përgjigje nga ana e departamentit përkatës lidhur me çështjet që i ka ngritur.
Në këtë situatë ku detyrimi i zbatimit të kësaj marrëveshje vihet në dyshim si rrjedhojë e mospërputhjes me ligjin përkatës, bizneset ballafaqohen me shumë paqartësi se si të veprohet më tutje. Shqetësimet tona gjithashtu kanë të bëjnë me procedurën e aprovimit dhe nënshkrimit të Marrëveshjes Kolektive nga anëtarët e Këshillit Ekonomik Social, pa një procedurë paraprake të dialogut me kompani.
Anëtarët e Këshillit Ekonomik Social nuk kanë të drejtë ligjore që të fusin në obligime kontraktuale palët e treta, të paktën jo para se të merret autorizimi i tyre. Në rastin e marrëveshjes kolektive, ky dialog ka munguar dhe bizneseve iu është pamundësuar të shprehin pakënaqësitë e tyre.
Duke pasur parasysh fazat e zhvillimit ekonomik nëpër të cilat po kalon Kosova dhe duke pasur parasysh sfidat me të cilat ndërmarrjet në Kosovë ballafaqohen, besojmë se kjo marrëveshje kolektive do të shtonte më tej presionin mbi sektorin privat, duke e ngadalësuar kështu rritjen e tij.
Në një vend me papunësi aq të lartë siç është Kosova, padyshim se politikat e tilla si marrëveshjet kolektive duhet të evitohen, pasi ato dekurajojnë kompanitë private që të rrisin numrin e punëtorëve si dhe e bëjnë Kosovën më pak atraktive në sytë e investitorëve të huaj potencial krahasuar me shtetet e rajonit. Rrjedhimisht, në vend se të krijohen masa stimuluese për sektorin privat si bartës i zhvillimit ekonomik, Oda Amerikane konsideron se ambienti i të bërit biznes në vend po vështirësohet më tutje.
Bazuar në faktet e cekura më sipër, Oda Amerikane kërkon nga Qeveria e Kosovës që të dal me sqarim zyrtar ligjor nëse Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive është detyrimisht e zbatueshme nga të gjitha ndërmarrjet në Kosovë ose jo dhe çfarë vendimi do të duheshin marrë ndërmarrjet e caktuara në Kosovë të cilat nuk kanë dhënë akordimin e tyre përkitazi me marrëveshjen kolektive, meqë Ligji i Punës e lë në diskrecion të kompanive të vendosin nëse do të marrin përsipër zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes Kolektive.