20 Nëntor 2024

OEAK kërkon rritje të llogaridhënies të agjencive të pavarura

Prishtinë, 21 maj - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) shpreh shqetësimet e saj lidhur me zhvillimet e fundit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si një ndër institucionet më të rëndësishme në Kosovë që ka për obligim menaxhimin e pasurisë shoqërore dhe procesin e privatizimit në vend.

Dorëheqja e përfaqësueses së Ambasadës Amerikane nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së është një sinjal dhe porosi që duhet trajtuar me seriozitet dhe që kërkon ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të siguruar që institucionet e pavarura si AKP të punojnë në mënyrë të pavarur, transparente dhe të përgjegjshme drejt përmbushjes së objektivave të tyre ligjore.

Oda Amerikane vlerëson se zhvillimet e fundit e dëmtojnë më tej reputacionin e Kosovës në pikëpamjen e investitorëve të huaj dhe nuk i kontribuojnë qëllimit të zhvillimit ekonomik që është duke u proklamuar nga Qeveria.

Në teori, një proces i privatizimit i menaxhuar mirë dhe në mënyrë të suksesshme duhet të shërbejë si mesazh drejtuar investitorëve se Kosova ka një ambient të favorshëm afarist.

Fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk është parë deri më tani, sidomos kur merren parasysh ankesat e shumta nga komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile për proceset dhe praktikat e privatizimit në të kaluarën.

Duke ditur faktin se AKP është institucion i pavarur që i raporton Kuvendit të Kosovës, është detyrë e anëtarëve të Kuvendit që të sigurojnë pavarësinë, transparencën si dhe të kërkojnë llogaridhënie nga Bordi i AKP-së. Kuvendi duhet të ushtrojë pushtetin e tij të plotë për të garantuar funksionimin e duhur të kësaj agjencie shumë të rëndësishme shtetërore.

Zgjedhja e fundit e anëtarëve të Bordit të AKP-së është karakterizuar me vonesa të vazhdueshme që kanë rezultuar edhe në vonesa në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Oda Amerikane bën thirrje që zgjedhja e anëtarëve të ri të Bordit të Drejtorëve të përfundojë në një periudhë sa më të shpejtë, duke emëruar profesionistë dhe ekspertë të pavarur që do të kontribuojnë në përmirësimin e praktikave të AKP-së dhe të procesit në përgjithësi.

Kjo do të rezultonte në një imazh të përmirësuar të institucionit dhe të procesit të privatizimit, duke rritur kështu edhe interesimin e kompanive serioze ndërkombëtare për procesin e privatizimit në vend, pavarësisht dëmit që është bërë si rrjedhim i ngjarjeve të fundit.

Mbi të gjitha, Oda Amerikane rithekson domosdoshmërinë e largimit të politikës nga institucionet e pavarura, përfshirë këtu edhe AKP-në, në mënyrë që të mundësohet që këto institucione/agjenci të mund të kontribuojnë pozitivisht për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)