15 Nëntor 2024

OEAK: Institucionet duhet të rrisin përpjekjet në luftimin e piraterisë

Prishtinë, 23 shkurt – Përpilimi i politikave dhe procedurave që lidhen me nevojat e bizneseve dhe përmirësimi i kornizës ligjore në vend, nevoja për trajnimin e stafit për sektor specifik dhe edukimi paraprak i krijuesve dhe përdoruesve si dhe rritja e bashkëpunimit të mirëfilltë mes operatorëve ekonomik dhe institucioneve qeveritare, janë disa nga hapat që duhet të ndërmerrën për luftimin e piraterisë në vend, rrjedhimisht mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Ky konkluzion doli nga konferenca e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Business Software Alliance dhe Microsoft, me qëllim të diskutimit të masave mbrojtëse dhe programeve që mund të përpilohen dhe aplikohen në të ardhmen për luftimin e kësaj dukurie.

Pjesë e panelit të kësaj konference ishin Desislava Mateva nga ARSIS Consulting, Business Software Alliance, Valon Kashtnjeva nga Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Lulzim Syla nga Inspektorati i Tregut, Nahit Sharku nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe Mentor Hoxhaj nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. 

Në hapje të kësaj konference, Drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se pirateria paraqet një shqetësim të madh për krijuesit e softuerëve dhe produkteve të tjera intelektuale anembanë botës, por që është dukshëm më e pranishme në shtete me zbatueshmëri më të dobët të legjislacionit për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, dhe të drejtave të autorit, siç është rasti i Kosovës. Më tej ai shtoi se pirateria nuk cenon vetëm të drejtat e krijuesve të veprave në fjalë, por ajo kufizon edhe burimet për mbledhje të të hyrave të shtetit, dëmton përpjekjet e vendit për tërheqje të investimeve të huaja dhe rrjedhimisht krijimin e vendeve të reja të punës.

Desislava Mateva, Juriste në ARSIS Consulting, Këshilli i jashtëm për BSA ne Kosovë prezantoi mbi rreziqet e përdorimit të programeve të palicencuara apo të falsifikuara. Ajo sqaroi për të pranishmit lidhjen e këtyre përdorimeve të pautorizuara me viruset që po u shkaktojnë dëme të mëdha jo vetëm bizneseve, por edhe institucioneve qeveritare. Sipas saj, përdorimi i autorizuar është vetëm një nga hapat e luftimit të piraterisë, megjithëse ajo e konsideroi si shumë të rëndësishme dhe efikase edhe sensibilizmin dhe edukimin paraprak të shoqërisë.

Më tej, Valon Kashtanjeva nga Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta tha se aktualisht në vendin tonë është krijuar një sistem bazik, që përpos që po avancohet në aspektin legjislativ, po tregohet i suksesshëm edhe në zbatimin dhe ekzekutim të sanksioneve në rastet kur kemi shkelje të Kodit Penal të Kosovës. Ai më tej vlerësoi se Task Forca që ai menaxhon është treguar e suksesshme në luftimin e kësaj dukurie negative, përmes bashkëpunimit për masa parandaluese dhe ngritjes së vetëdijes në këtë drejtim.

Lulzim Syla, Kryeinspektor i Tregut, shtjelloi temën e mekanizmave për luftimin e piraterisë, duke shtuar se Inspektorati i Tregut ka bashkëpunim të ngushtë me institucionet kyçe, pwrfshirw Zyrën për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, më Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Policinë. Sipas tij, përkundër numrit të limituar të inspektorëve që kanë aktualisht, aksionet zhvillohen në baza mujore dhe kanë rezultuar me efekte pozitive edhe në ekonominë e vendit.

Zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Nahit Sharku, foli mbi ndikimin që kjo dukuri ka në buxhetin e shtetit. Sipas tij, komunikimet e tilla mundwsojnw që edhe institucionet e shtetit të kenë qasje më të lehtë ne sensibilizimin e nevojshëm të shoqërisë. Duke pasur parasysh që në ditët e sotme nuk mund të paramendohet funskionimi i një biznesi pa programe kompjuterike, Sharku tha se posedimi i autorizimit nënkupton  siguri dhe besueshmëri për biznesin në fjalë.

Mentor Hoxhaj nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale foli më tepër mbi keqpërdorimin e të dhënave personale, duke prezantuar edhe statistika dhe shembuj konkret në vendin tonë. Sipas tij, shqetësuese janë sidomos sulmet kibernetike si fenomen në rritje që po i shkakton dëme trilionshe ekonomisë botërore, dhe nuk po lë pa prekur as institucionet më kredibile dhe më të mëdha shtetërore.

Në fund, të pranishmit patën mundësinë që të bënin pyetje dhe të adresonin çështjet e tyre që ndërlidhen me temën e kësaj konference, me ç’rast u zhvillua një diskutim interaktiv në mes të panelistëve dhe pjesëmarrësve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)