OEAK i bën thirrje qeverisë të kompletojë pakon fiskale
Veç kësaj, një veprim i tillë do të mundësonte krijimin e vendeve të reja të punës, aq shumë të nevojshme për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Në këtë kontekst, Oda Amerikane kërkon finalizimin e Udhëzimit Administrativ për Pushimet Tatimore, por edhe zgjerimin e mëtejmë të listës së lëndëve të para të liruara nga ngarkesat doganore, në kuadër të Ligjit për Mallrat e Liruara nga Detyrimet Doganore dhe me Tarifë Zero, i cili i jep diskrecionin për një vendim të tillë Ministrisë së Financave, respektivisht Qeverisë së Kosovës.
Në mënyrë që Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore të sigurojë rezultatet e duhura, Oda Amerikane kërkon nga Qeveria që në draftin final të përfshijë rekomandimet e asociacioneve të biznesit.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, e fuqizuar me 1 prill, ka hapur një kapitull të ri në tregtinë e jashtme të Kosovës, me përfitime të shumta por edhe me presion të shtuar konkurrues, për të cilat sektori privat, respektivisht industria prodhuese e vendit duhet të reagojë me investime në zgjerimin e kapaciteteve dhe ngritjen e vazhdueshme të cilësisë konform standardeve të aplikuara në BE.
Qasja e pakufizuar në një treg të madh siç është tregu i Bashkimit Evropian për produktet e prodhuara në Kosovë, padyshim se do të jetë një element atraktiv për investitorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera, dhe për këtë kërkohet pasurimi i ofertës fiskale.
Kjo vetëm se do të plotësonte elementet e tjera të ofertës së vendit për investitorët, siç është pozita e përshtatshme gjeografike, burimet e shumta natyrore dhe kapitali njerëzor.
Oda Amerikane beson fuqishëm që lirimet e tilla do të stimulojnë aktivitete të shtuara ekonomike të cilat rrjedhimisht do të minimizonin efektet potenciale të lirimeve të tilla në të hyrat buxhetore.
Rritja e të hyrave të mbledhura gjatë vitit 2015, pavarësisht heqjes se Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për makineritë dhe lëndët e para në tremujorin e fundit te vitit te kaluar janë dëshmia më e mirë për këtë.
Qeveria e Kosovës duhet që përfundimisht të barazojë ofertën e saj për promovimin e investimeve, me atë te vendeve të rajonit. Oda Ekonomike Amerikane shpreh shqetësimin e saj se çdo vonesë në miratimin e Udhëzimit Administrativ për Pushimet Tatimore por edhe nxjerrjen e vendimeve të tjera për stimuj fiskal do të jetë një mundësi e humbur për promovimin e një pakoje gjithëpërfshirëse fiskale para investitorëve potencialë.