OEAK dhe Gjirafa nisin kontigjentin e parë të ndihmave drejt Shqipërisë
Prishtinë, 29 nëntor - Katër maune me artikuj ushqimorë, veshmbathje dhe artikuj të tjerë elementarë janë nisur nga Oda Ekonomike Amerikane dhe kompania Gjirafa.com drejt Shqipërisë, si shenjë solidarizimi me banorët e Shqipërisë të prekur nga tërmeti i fundit tragjik.
Vlera e të gjitha mallrave të dhuruara deri më tani arrin vlerën e rreth 40,000 eurosh. Ndërsa falë kontributit të bizneseve, qytetarëve, Odës Amerikane, si dhe stafit të Gjirafa.com janë mbledhur edhe të holla në vlerë prej 12,150 euro.
Kontribut monetar kanë dhënë kompanitë KEP Trust, KIVO, Delfin LTD, Asseco, Klinika Amerikane, AS Travel, Melita & Partners, Indeson WBC, si dhe qytetarët Burim Cena, Xhevat Dedinca dhe Fiknete Balaj. Kontributit në të holla i janë bashkuar edhe vetë Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, si dhe stafi i kompanisë Gjirafa.com dhe klientët e tyre.
Kompanitë që kanë kontribuar me produkte ushqimore dhe pije, veshmbathje, enë si dhe artikuj higjienikë përfshijnë: Delfini LTD, rrjeti i supermarketeve Interex, Buçaj, Al Trade Center, Pestova, Albatros, Auto Servis Fatosi, Frutti, Furra e bukës Sheki, Keranova dhe Luga.
Oda Ekonomike Amerikane si dhe Gjirafa.com do të vazhdojnë të mbledhin ndihma për banorët dhe zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri edhe në ditët në vijim.