17 Nëntor 2024

OEAK bën thirrje për luftë më të shpejtë kundër korrupsionit

Prishtinë, 4 dhjetor -  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) vlerëson se prezenca e korrupsionit dhe efektet e tij negative në shoqëri janë temë e diskutimit në Kosovë që nga përfundimi i luftës së vitit 1999.

Siç edhe kanë evidentuar një sërë raporte ndërkombëtare të publikuara nga organizatat hulumtuese lidere në këtë fushë, ky fenomen ka vazhduar të pengojë dhe vështirësojë zhvillimet në të gjitha fushat në Kosovë edhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Në këtë aspekt, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i organizatës ‘Transparency International’ e rendit Kosovën në vendin e 111-të, në mes të 177 shteteve të botës.

OEAK thekson se perceptimi i lartë i korrupsionit jo vetëm se e ulë besimin e qytetarëve dhe bizneseve drejt qeverisë dhe institucioneve publike, mirëpo edhe krijon një reputacion negativ të vendit, dhe i pengon edhe më shumë përpjekjet tona të përgjithshme drejt tërheqjes së Investimeve të Huaja Direkte në vend.

\"Lehtësimi i burokracisë në aspektin e të bërit biznes duhet të shkojë përkitazi me përmirësimet në luftën kundër korrupsionit me qëllim që të arrihet synimi për rritje të investimeve të huaja. Ky fenomen është burim i pasigurisë për biznese të huaja serioze dhe kështu rrit edhe më tutje rrezikun e investimit në Kosovë\", thekson OEAK.

Oda Amerikane beson fuqishëm se tani është momenti i fundit kur Kosova duhet të marrë një qëndrim të fortë kundër korrupsionit.

Qeveria e re duhet të vendosë luftimin e korrupsionit si prioritetin më të lartë në vend, duke i përcjellë vërejtjet dhe deklaratat publike me hapa konkretë dhe masa që do të kenë efekte të qëndrueshme në shoqëri dhe në ekonomi.

Emërtimet në ministri dhe pozita të rëndësishme publike duhet të bëhen në bazë të meritës dhe kualifikimeve, dhe jo bazuar në përkatësitë politike.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur flasim për agjencitë e pavarura dhe rregullatorët, në të cilat raste përfshirja e politikës duhet të jetë minimale.

Më tutje, Oda Amerikane beson se zhvillimet në sistemin gjyqësor duhen vazhduar me qëllim të zbatimit të ligjeve dhe përmbarimit të kontratave.

Një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është parakusht për një shoqëri të shëndoshë dhe përparimtare. Përmbarimi i kontratave përmes një mekanizmi më efektiv, medoemos se do të ketë efektet e dëshiruara në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes në vend, dhe rrjedhimisht tërheqjes së investitorëve të huaj.

Për të arritur këtë, reformat të cilat janë filluar në vitet e fundit, veçanërisht ato të iniciuara nga organizatat Donatore, duhet të vazhdojnë dhe përpjekjet drejt zbatimit të këtyre reformave duhet të dyfishohen.

Oda Amerikane i bën thirrje qeverisë së re që të angazhohet në luftën kundër korrupsionit dhe sjelljeve të ngjashme në sektorin publik, dhe më tutje të fuqizojë punën drejt përmirësimit të sundimit të ligjit.

Oda Amerikane gjithashtu beson se këto dy elemente janë parakushte për përmirësimin e reputacionit të Kosovës në sytë e investitorëve të huaj dhe përshpejtimin e përpjekjet tona drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.



  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)