Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, i shtohen edhe 33 anëtarë
Prishtinë, 9 maj - Oda Ekonomike Gjermano Kosovare, ka në radhet e saj edhe 33 anëtarë të ri. Kjo është arrit falë punës dhe përkushtimit, për të ofruar mbështetjen e saj për ndërmarrësit kosovar e gjerman që veprojnë në Kosovë.
Kështu është bërë e ditur në Kuvendin e Punës së Odës Ekonomike Gjermano Kosovare, në të cilin janë shpërndarë edhe 33 certifikata për këta anëtarë.
Gjatë punimeve të Kuvendit, të mbajtura në ambientet e restaurant Orion në Prishtinë, presidenti Samir Krasniqi, tha se Oda Ekonomike Gjermano Kosovare po angazhohet me përkushtim për të ngritur cilësinë e ambientit të përgjithshëm biznesor në Kosovë, duke qenë zë i përhershëm i nevojave të ndërmarrësve në vend.
Para shumë të pranishmëve, në mesin e tyre edhe zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë z. Matthias Kiesler, z. Krasniqi tha se pos nevojës së madhe që në vend të ketë investitor gjerman, Kosova ka nevojë që të përfitoj dhe të mësoj shumë nga modeli dhe kultura efikase e punës gjermane.
Presidenti z. Krasniqi, duke folur për punën e OEGJK-së, ka falënderuar të gjithë anëtarët për rritjen e saj duke përfshirë edhe ish anëtarët e Bordit të kaluar, të cilët në këtë Kuvend me votim të anëtarëve, sikur e parasheh statuti, janë liruar nga përgjegjësitë.
Bordi i kaluar, ka bërë një punë të mirë. Ata e themeluan Odën, dhe pa atë angazhim të tyre, ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Në Kuvendin e kaluar mbajtur në shtator 2014, kur ne Bordi i ri kemi marrë përgjegjësinë, Oda ka pas 69 anëtarë. Atëherë ne kemi thënë se deri në Kuvendin e ri, do ta rrisim numrin e anëtarëve dhe volumin e punës. Sot, Oda numëron në mesin e saj 102 anëtarë, dhe janë rreth 25 ndërmarrje tjera që pritet këto ditë të jenë anëtare të Odës, ka thënë Krasniqi, duke potencuar se kjo shton përgjegjësinë dhe ngritë seriozitetin e Odës si mekanizëm përfaqësues i anëtarëve të saj.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovës Matthias Kiesler, ka çmuar punën e Bordit të ri, duke ofruar edhe një herë mbështetjen e plotë të ambasadës gjermane.
Ne kemi bashkëpunuar në vazhdimësi. Bordi i ri i zgjedhur vitin e kaluar, ka treguar afinitet shumë të denjë dhe angazhimi i tillë serioz i tyre, na bën që të garantojmë nga ana jonë mbështetje edhe me të fuqishme në të ardhmen, ka thënë Kiesler.
Përfaqësues i GIZ në këtë takim, Christoph Heil, ka vlerësuar po ashtu shumë lartë punën e drejtuesve të ri të OEGJK-së. Ai ka përmendur ndër të tjera projektin që OEGJK realizon në partneritet me GIZ e që ka të bëjë me Arsimin dhe Aftësimin Profesional të kosovarëve në Gjermani.
Jemi në fazën e implementimit të projektit Ausbildung (Arsim dhe Aftësim Profesional në Gjermani), dhe mund të them se përkushtimi dhe gatishmëria e anëtarëve të OEGJK-së, na shtyn dhe ndihmon shumë në arritjen e rezultateve më të mira të mundshme, Christoph Heil.
Drejtori ekzekutiv i OEGJK-së, Azem Rexhaj, ka prezantuar në detaje raportin voluminoz të punës, duke veçuar disa nga aktivitetet më të rëndësishme të realizuara nga OEGJK.
Rexhaj tha e gjithë puna është bërë duke qenë të përkushtuar ndaj nevojave të anëtarësisë, dhe jo vetëm.
Ai ka shkëputur po ashtu edhe disa nga aktivitetet më të rëndësishme të OEGJK-së, duke veçuar mbajtjen e konferencës Dialog për Politikat Ekonomike, në të cilin pos disa ministrave dhe mbi 200 pjesëmarrësve, prezentë ka qenë edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets.
Gjithashtu, Rexhaj, ndër aktivitetet e shumta ka përmendur edhe projektin Ditët e Dialogut, i realizuar në bashkëpunim me Landin NRW nga Gjermania, vizitën e presidentit Krasniqi në Tiranë dhe takimin me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama me të cilin ka biseduar për problemet që bizneset kosovare hasin gjatë operimit atje dhe shumë e shumë aktivitete tjera të OEGJK-së.
Ndër të tjera, z. Rexhaj ka përmendur angazhimin e presidentit Krasniqi dhe Odës në përgjithësi, në organizimin dhe pjesëmarrjen në konferencën e Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, mbajtur ditë më parë, me qëllim sensibilizimin e diasporës kosovare për të investuar, dhe për të dhënë kontributin e saj në thithjen e investimeve gjermane në Kosovë.
Ndërsa z. Ilir Aliu, anëtarë i Bordit të OEGJK-së, ka prezantuar raportet financiare, duke dhënë detaje për shpenzimet dhe të hyrat e krijuara. Ai tha se të gjitha të hyrat e OEGJK-së, ka qenë nga anëtarësia ndërsa shpenzimet e bëra janë vënë në funksion të mirëorganizimit dhe funksionimit të Odës.
Skënder Haxhiu, ka prezantuar raportin e revizionit. Ai ka njoftuar anëtarët se ky raport është bërë në mënyrë profesionale nga profesionist të fushës dhe të gjeturat tregojnë për menaxhim efikas dhe të shëndetshëm të buxhetit.
Krasniqi u ka bërë thirrje anëtarëve të Odës, sidomos drejtuesve të Sektorëve, që të jenë më aktiv dhe që të shfaqin brengat dhe vështirësitë e tyre në të bërit biznes në Kosovë me qëllim të përmirësimit të situatës së përgjithshme.
Në Kuvend, presidenti z. Krasniqi, ka hedhur në votim dhe janë aprovuar njëzëri raportet financiare të OEGK-së, raporti i punës, aktivitetet dhe revizioni. Gjithashtu me shumicë votash, është liruar nga të gjitha aktivitetet Bordi i mëparshëm drejtues i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare.
Planet e të ardhmes së Odës, sipas Krasniqi dhe Rexhaj, janë që OEGJK të mos jetë vetëm një ombrellë dhe zëri përçues i bizneseve, por edhe nxitëse e kultivimit dhe rritjes së kulturës së punës gjermane në Kosovë.