19 Nëntor 2024

Odat ekonomike vlerësojnë raportin e Bankës Botërore

Prishtinë, 31 tetor - Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) kanë vlerësuar se rangimi i Kosovës në pozitën e 86 nga 189 vende të botës, në lehtësinë e të bërit biznes nga Banka Botërore (BB), është lajm i mirë për Kosovën, pasi ai do të mund të ndikojë tek investitorët e jashtëm potencialë që ta sjellin kapitalin e tyre në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se rangimi i Kosovës në pozitën e 86 nga 189 vende të botës, në raportin e saj “Të Bërit Biznes” 2014, tregon se Kosova po ecën drejt një të ardhme më të mirë ekonomike në vend. Sipas tij, Kosova ka nevojë ta përmirësojë më shumë imazhin e saj ekonomik dhe ky është lajm i mirë për të gjithë.

“Kjo arritje e ekonomisë së Kosovës mund të ketë efekte multidimensionale, pasi shumë investitorë Kosovën e kanë parë si vend jo të mirë dhe të sigurt për investime dhe paraqitja në këtë pozitë do të ketë efekte pozitive për ekonominë kosovare”, ka thënë kryetari Gërxhaliu për gazetën “Epoka e re”.

Kreu i komunitetit më të madh ekonomik në vend është shprehur se Kosova ka nevojë për më shumë reforma ekonomike dhe politika më të mira fiskale.

“Reformat e mira sjellin të mira, pra u ndihmojnë bizneseve që janë në Kosovë, qoftë atyre vendore, apo atyre që janë të huaja në Kosovë, por edhe mund të sjellin investime të reja nga vende të ndryshme”, ka thënë ai.

Kurse drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka deklaruar se përmirësimi i rangimit të Kosovës në raportin e Bankës Botërore është një lajm jashtëzakonisht i mirë dhe i pritur, duke pasur parasysh përmirësimet e vazhdueshme në legjislacionin, përmirësimin e lehtë në zbatimin e këtij legjislacioni. “Adresimi dhe zgjidhja e problemeve me të cilat janë përballur bizneset, si procedurat burokratike, janë rezultat i fuqizimit të dialogut midis sektorit privat dhe publik qoftë nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Zhvillimit Kombëtar ose këshillave e mekanizmave të tjerë formalë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, ky rangim i Kosovës në raportin e Bankës Botërore që t'i shërbejë qëllimit të tërheqjes së më shumë investitorëve duhet të nisë një fushatë më agresive e promovimit të këtyre të arriturave para investitorëve potencialë dhe në të njëjtën kohë të fokusohemi në përmirësimin e elementeve të tjera, siç është mbrojtja e investitorëve, fuqizimi i sundimit të ligjit, përmirësimi i mëtejmë i zbatimit të kontratave, si dhe ngritja e efiçencës së sistemit gjyqësor.

Banka Botërore (BB) në raportin e saj “Të Bërit Biznes” 2014 ka ranguar Kosovën në pozitën e 86 nga 189 vende të botës, në lehtësinë e të bërit biznes, duke vlerësuar kështu pozitivisht ndryshimet dinamike dhe lehtësimet e bëra në ambientin e të bërit biznes në Kosovë. Në dy vjetët e fundit Kosova është ngritur për 40 pozita në ranglistë.

Në bazë të raportit “Të Bërit Biznes” 2014 të Bankës Botërore, Kosova ka shënuar progres dhe ngritje në gati të gjithë indikatorët. “Për fillimin e biznesit janë marrë për bazë shkurtimi i procedurave dhe kohës, si dhe funksionalizimi i one-stop shopeve nëpër Kosovë. Në lejet e ndërtimit është marrë për bazë reforma në lejet e ndërtimit që ka eliminuar procedurat, ka shkurtuar kohën si dhe ka ulur koston për t’u pajisur me leje ndërtimi”, është thënë në raport.

Në regjistrim të pronës, funksionalizimi i noterisë, ulja e kostos së regjistrimit si dhe zvogëlimi i procedurave për regjistrim të pronës janë marrë parasysh nga raporti. Kosova renditet më mirë në ranglistë se vendet e rajonit siç janë: Kroacia, që renditet e 89-ta, Shqipëria, që renditet e 90-ta, Serbia, që renditet e 93, si dhe Bosnje e Hercegovina, që renditet e 131-ta. Përmirësimi i ambientit të të bërit biznes në Kosovë dhe rangimi i Kosovës në vendin e 86 nga 189 vende në botë dhe futja e Kosovës në top 10 vendet reformatore në botë është sukses i përbashkët i institucioneve të Kosovës.

Për më tepër, kjo dëshmon se Qeveria e Republikës së Kosovës është thellësisht e përkushtuar në implementimin e reformave në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, të cilat garantojnë zhvillim të hovshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik, me punësim të lartë, duke siguruar kështu një kualitetit më të mirë të jetesës dhe mirëqenies së qytetarëve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)