Odat Amerikane në Kosovë dhe Shqipëri thellojnë bashkëpunimin
Prishtinë, 14 janar - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka zhvilluar një takim pune me organizatën homologe në Shqipëri.
Dy Odat Amerikane kanë shfrytëzuar vizitën e grupit nga Kosova për të biseduar mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të përvojave që do të ndihmojnë bizneset anëtare të operojnë më lehtë në të dy tregjet përkatëse.
Gjatë takimit janë shpalosur idetë për mënyrën se si bizneset mund të bashkëpunojnë për të krijuar mundësi të shkëmbimeve tregtare.
Anëtarët e të dy Odave Amerikane kanë shfaqur interes për të shkëmbyer informacione në lidhje me çështjet legjislative, fiskale dhe politikat zhvillimore të dyja vendeve dhe që përbëjnë bazën për një bashkëpunim të suksesshëm.
Në kuadër të kësaj, është dakorduar që të dy Odat të shtojnë aktivitetet e tyre avokuese karshi qeverive të të dyja vendeve për eliminimin e barrierave reciproke të mundshme.
Gjatë bisedës është folur dhe për problematikat që bizneset hasin në tregjet të të dyja vendeve dhe rrugët për ti zgjidhur ato. Kështu që është hedhur ideja e takimeve vjetore që do të përfshijnë edhe odat e tjera amerikane në rajon për të krijuar hapësira rajonale të bashkëpunimit. Këto takime do ti shërbejnë qëllimit të tërheqjes së investimeve të huaja në një treg rajonal dhe ofrimit të lehtësirave.
Për të konkretizuar bashkëpunimin mes dy Odave, asaj në Kosovë dhe në Shqipëri është vendosur të organizohen takime të rregullta vjetore dhe shkëmbime informacioni duke përfshirë edhe takime mes bizneseve të dy vendeve.
Anëtarët e Bordit Drejtues të dy odave janë të angazhuar për të zhvilluar këtë frymë bashkëpunimi dhe për ti shërbyer interesit dypalësh.