Oda Ekonomike Amerikane zgjedh bordin e ri
Prishtinë, 1 mars - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) përmbylli punimet e Kuvendit të Nëntë të Përgjithshëm, ku u zgjodhën 7 anëtarët e ri të Bordit.
Të pranishëm në këtë takim ishin anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Kuvendi është kryesuar nga Presidenti i Bordit të Drejtorëve, Z. Erolld Belegu, ndërsa gjatë tij janë prezantuar aktivitetet e Odës Amerikane për vitin e kaluar si dhe është prezantuar edhe kalendari i aktiviteteve për vitin 2013, i cili edhe është miratuar nga anëtarët.
Gjatë kuvendit, Belegu njoftoi se gjatë një viti të udhëheqjes në Bord, me krenari njofton se Oda Amerikane ka pasur shumë aktivitete dhe numri anëtarëve është shtuar dukshëm në krahasim me vitin e kaluar.
Ai po ashtu theksoi se Oda Amerikane ka qenë një mbështetëse e fortë e komunitetit të biznesit duke njoftuar se ka arritur të ndikojë në agjendën publike përmes Këshillit Kombëtar Zhvillimit Ekonomik.
Ndërsa Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, duke iu falënderuar anëtarëve për mbështetje njoftoi se zyra ekzekutive është angazhuar vazhdimisht për ti adresuar çështjet e bizneseve duke e bërë Odën Amerikane një ndër organizatat më të fuqishme në vend.
Oda Amerikane ka iniciuar disa ndryshime në legjislacion gjithmonë duke qenë aktive në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Ai tha se pavarësisht faktit se janë fituar disa beteja të vogla, para komunitetit të biznesit në Kosovë mbetet beteja më e madhe e eliminimit të korrupsionit, parregullsive në prokurimin publik, për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të bërë biznes.
Pika kryesore e Kuvendit ishte zgjedhja e 7 pozitave të anëtarëve të ri të Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane.
Anëtarët e ri të Bordit të Drejtorëve të Odës Amerikane, të votuar nga bizneset anëtare është si në vijim Maury Wray Bridges (Booz Allen Hamilton), Afërdita Saraçini Kelmendi (Smart World TV), Chris Jennions (Bechtel- Enka), Vesa Mullademi (Llamkos GalvaSteel), Michael Gold (Crimson Capital) Dejan Stojanovic (Cisco Systems) dhe Islam Pacolli (Mabatex Group).
Në përmbyllje të sesionit votimit, Presidenti i Bordit të Drejtorëve Z. Erolld Belegu shprehu mirënjohjen e tij për anëtarët që kanë shërbyer në Bordin e Drejtorëve në vitin 2012.
Në pjesën e dytë të kuvendit, të pranishmëve iu drejtuan shkëlqesia e saj Tracey Ann Jacobson, Ambasadore e SHBA-ve në Prishtinë si dhe z. Besim Beqaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik.
Shkëlqesia e saj, Tracy Ann Jacobson uroj qe viti 2013 të jetë viti i sektorit privat i cili të udhëheq zhvillimin ekonomik. Znj. Jacobson po ashtu theksoi se sektori privat, duhet të bashkëpunoj me Qeverinë, që të punohet në përmirësimin e imazhit ekonomik, në mënyrë që Kosova të tërheq investitorë të huaj, pasi që shihet si një vend i vogël dhe me rrezik për investitorët e saj.
Gjithashtu ajo pohoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishme, e sidomos të në aspektin tregtar, sepse ky dialog mund te sjellë stabilitet dhe normalitet në aspektin investiv dhe siguri për investitorë e jashtëm.
Ndërsa Ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj, i cili foli për sfidat që e presin Qeverinë e Kosovës, tha se vizion i tyre për zhvillim ekonomik mbetet ristrukturimi i reformave dhe përpjekja e tyre për ti shtruar rrugën sektorit privat për një rritje ekonomike.
Beqaj po ashtu tha se Kosova po i rikthen investitorët e huaj, tek të cilët kishte humbur besimi. Ai gjithashtu foli për privatizimin e rrjetit të distribucionit të KEK-ut, duke e cilësuar si kontratën më të suksesshme të Kosovës.