07 Nëntor 2024

Oda Amerikane ndërton katër shtëpi për familjet e pastreha

Prishtinë 1 dhjetor - Katër familje nga katër komuna të ndryshme të Kosovës do të hyjnë në stinën e dimrit nëpër shtëpitë e tyre të reja të ndërtuara me fondet e Odës Ekonomike Amerikane, anëtarëve të saj dhe të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Të privuara nga mundësitë e të pasurit të një strehimi të përhershëm, familja Thaçi nga Skënderaj, familja Mehmeti nga Mitrovica, familja Kastrati nga Peja dhe familja Hajrullahu nga Komuna e Lipjanit, iu gëzuan ndërtimit të shtëpive dhe në të njejtën kohë shprehën falënderimin e tyre për Odën Amerikane për këtë iniciativë, përmes të cilës edhe fëmijët e tyre tashmë mund të rriten në kushte më të mira.

Përveq Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, iniciativën e Odës Amerikane për ndërtimin e shtëpive për familjet e pastreha e kanë mbështetur edhe IPKO, VALA, NewCo Ferronikeli, Meridian Corporation, Coca Cola HBC Kosova, Limak–Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, NLB Banka, Elkos, HIB Petrol, Devolli Corporation, Mabetex, Z-Mobile, Railtrans, Recura Financials, Servisshped, Hymeri Kleemann, Alcatel Lucent, CEO, Vllesa-Co, ASDA, Boga & Associates dhe Gjirafa Inc. Derisa Meridian Express ka dhuruar edhe pako ushqimore dhe artikuj të tjerë esencialë për secilën familje.

Ky aktivitet është zhvilluar nga Fondacioni i Odës Amerikane, i cili nga viti 2012 e tutje ka mbështetur me mbi 200,000 euro një numër organizatash e individësh në Kosovë, në mesin e të cilëve edhe Down Syndrome Kosova, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Institutin e Fëmijëve me Inteligjencë të Jashtëzakonshme ATOMI, Fondacionin për Edukimin e Vajzave “Çifti Buçinca”, filmin artistik “Një rrëfim Prishtine”, organizatën e vullnetarëve amerikanë Peace Corps, zonat e goditura nga vërshimet në Republikën e Shqipërisë, zonat e goditura nga uragani Harvey në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe dhjetra fëmijë të cilët kanë pasur nevojë për përkrahje financiare për shërim jashtë vendit.

Në kuadër të Fondacionit të Odës Amerikane funksionon edhe Shkolla e Shahut “Woodrow Wilson” për fëmijë të moshës 6-13 vjeçe.

Në përpjekje për përmirësimin e kushteve të mësimnxënies nëpër zonat rurale të Kosovës, Oda Amerikane në vitin 2018 do të financojë përmirësimin e infrastrukturës bazike nëpër shkollat e fshatrave të mbetura larg kujdesit të shtetit, si dhe ofrimin e qasjes së barabartë në shkollim për fëmijët e fshatrave të cilat janë larg objekteve shkollore, duke u siguruar atyre transportin pa pagesë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)