Oda Amerikane diskuton me MF dhe ATK mbi nevojat e sektorit
Prishtinë, 31 janar - Në mbledhjen e Komitetit të Prodhimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore e Kosovës u diskutua rreth çështjeve të cilat e afektojnë këtë sektor, ku fokus i veçantë iu kushtua nevojës për identifikimin e entiteteve prodhuese përmes një numri identifikues.
Kryesuesi i Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane, Kujtim Gjevori, duke vlerësuar reformat e bëra në aspektin fiskal të cilat kanë mundësuar për rritjen e kompanive prodhuese në Kosovë, theksoi domosdoshmërinë e identifikimit të duhur të kompanive që i përkasin këtij sektori në mënyrë që të mundësohet një vlerësim i drejtë dhe i barabartë, e që do t’i paraprinte çështjeve të ndryshme me ndikim thelbësor për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori në të ardhmen si në aspektin e qasjes më të lehtë në financa ashtu edhe në luftimin e konkurrencës jolojale.
Lulzim Rafuna nga Ministria e Financave theksoi se ky institucion është i hapur për propozime dhe rekomandime të cilat kanë për qëllim fuqizimin e sektorit privat në përgjithësi. Ai tha se Ministria e Financave është e fokusuar në hartimin e politikave të cilat janë të orientuara në frymën e biznesit e të cilat nuk paraqesin vështirësi në zhvillimin e sektorit privat. Andaj, Rafuna konsideroi se një numër i tillë identifikues do të bënte diferencimin e duhur në mes kompanive prodhuese dhe të tjera, e që rrjedhimisht do të shërbente në rritjen e konkurrencës së drejtë në mes të tjerash. Megjithatë, ai shtoi se një gjë e tillë duhet të bëhet përmes përcaktimit të qartë të kritereve identifikuese.
Nahit Sharku nga Administrata Tatimore e Kosovës poashtu u pajtua mbi rëndësinë e pajisjes së entiteteve prodhuese me numër identifikues pasi që konsideron se një gjë e tillë ndikon edhe në adresimin e çështjeve tatimore, dhe lehtëson në përgjithësi operimet edhe për Administratën Tatimore. Në këtë drejtim, Sharku tha se mirëpret idenë e Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane për pajisjen me numër identifikues dhe që mbetet në dispozicion për zhvillimin e këtij koncepti.
Në fund, palët u dakorduan mbi nevojën për hartimin e një drafti fillestar të modalitetit të zbatimit të kësaj ideje e cila do të përfshinte kontributet e akterëve të rëndësishëm në fushën e prodhimit, në mënyrë që kriteret identifikuese të jenë gjithëpërfshirëse.