OConnell premton inkurajimin e investimeve të jashtme në Kosovë
Prishtinë, 18 maj - Ministri i Financave Avdullah Hoti priti sot në takim njoftues ambasadorin e ri të Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairí OConnell, ku biseduan lidhur me thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Me këtë rast ministri Hoti duke i uruar detyrën e re ambasadorit OConnell e falënderoi edhe për mbështetjen e përhershme të Britanisë së Madhe që i ka dhënë shtetit të Kosovës.
Ministri Hoti gjithashtu e njoftoi Ambasadorin OConnell për pjesëmarrjen në konferencën e fundit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim e mbajtur në Gjeorgji si dhe theksoj rëndësinë e qasjes së sektorit privat kosovar në institucionet financiare ndërkombëtare e cila do të ketë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai gjithashtu e njoftoi Ambasadorin edhe për planin Zhvillimor të Qeverisë së Kosovës si dhe për përkushtimin e kësaj Qeverie për parandalimin e ekonomisë joformale.
Ndërsa, ambasadori i ri i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairí OConnell, duke falënderuar Ministrin Hoti për pritjen, shprehi gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës, me theks të veçantë luftimin e ekonomisë joformale si dhe në inkurajimin e investimeve të jashtme në Kosovë.