06 Maj 2024

Obama: Prioriteti kryesor, zgjidhja e krizës evropiane të borxhit

Kanë, 4 nëntor - Presidenti Barak Obama tha sot se detyra më e rëndësishme për udhëheqësit botërorë që po mblidhen për takimin ekonomik të nivelit të lartë në Francë është zgjidhja e krizës financiare evropiane.

Ai tha se Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm drejt një zgjidhjeje të përgjithshme, por është e nevojshme të hartohen hollësitë se si duhet zbatuar plotësisht dhe me vendosmëri plani".

"Aspekti më i rëndësishëm i detyrës tonë gjatë ditëve të ardhshme, është zgjidhja e krizës financiare këtu në Evropë," tha Presidenti Obama.

Duke folur në prani të presidentit francez, Nikola Sarkozi pas një takimi privat që patën të dy jashtë samitit të G-20s, Presidenti Obama tha se ata diskutuan gjithashtu se si mund të zgjidhet situata në Greqi, kryeministri i së cilës tronditi Evropën duke kërkuar një referendum lidhur me planin evropian të shpëtimit financiar.

Zoti Obama përgëzoi Presidentin Sarkozi për rolin e tij në përpjekjet për zgjidhjen e krizës financiare.

"Presidenti Sarkozy ka treguar një rol të jashtëzakonshëm udhëheqës në këtë çështje. Pajtohem me mendimin se BE-ja ka bërë disa hapa të rëndësishëm drejt një zgjidhjeje të përgjithshme, dhe se kjo nuk do të ishte arritur pa rolin udhëheqës të Nikolasë."

Nga ana e tij, zoti Sarkozi vlerësoi mbështetjen e Presidentit Obama dhe tha se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë gjetur një "analizë të përbashkët" për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës.

"Ne kemi nevojë për udhëheqjen e Presidentit Obama, solidaritetin e Shteteve të Bashkuara dhe një analizë të përbashkët të rrugës për të arritur një strategji globale të rritjes dhe stabilitetit," tha ai.

Presidenti francez tha gjithashtu se ai dhe zoti Obama janë dakord se sektori privat duhet të luajë një rol më të madh për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës globale financiare.

Zoti Sarkozi dhe zyrtarë të tjerë në Evropë po kërkojnë vendosjen e një takse të vogël për të gjitha transaksionet financiare, taksë e cila mund të përdoret për të ndihmuar vendet e varfëra dhe për të pakësuar borxhet.

Administrata e Presidentit Obama dhe disa ekspertë të ekonomisë janë të ftohtë ndaj kësaj ideje dhe favorizojnë në vend të kësaj vendosjen e tarifave ndaj bankave të mëdha.

Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë partnere me evropianët për të zgjidhur këto sfida, por nuk dha asnjë hollësi se çfarë mund të bëjë Uashingtoni në bashkëpunim me aleatët e tij evropianë.

Zoti Obama u takua veçmas edhe me udhëheqësit e tjerë evropianë. Pas takimit me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, Presidenti Obama përsëriti se zbatimi i planit të shpëtimit në mënyrë efektive është i nevojshëm jo vetëm për stabilitetin e eurozonës euro por edhe të sistemit financiar global.

Uashingtoni është i shqetësuar për efektet që mund të ketë kriza e borxhit evropian mbi ekonominë amerikane, e cila ende nuk është shëruar plotësisht dhe vuan nga papunësia e lartë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)