Obama paralajmëron pasoja në ekonomi pas Brexit
Washington, 30 qershor - Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur Bashkimin Evropian ngre shqetësime afatgjate për rritjen ekonomike globale.
Ai tha se dalja e Britanisë nga blloku do të ngrijë mundësitë e investimeve atje apo edhe në Evropë në përgjithësi.
Obama i bëri thirrje kryeministrit britanik dhe udhëheqësve të tjerë të BE-së që të sigurojnë proces të rregullt të largimit të Britanisë.
Ai i bëri këto komente në një samit të liderëve të Amerikës Veriore në Otavë.
Në referendumin e 23 qershorit, qytetarët britanikë kanë votuar për të dalë nga BE-ja, pas më shumë se 40 vjetësh anëtarësi.
Të mërkurën, liderët e BE-së i kanë kërkuar Britanisë që të respektojë parimin e lëvizjes së lirë të njerëzve nëse do që të vazhdojë qasjen në tregun e përbashkët.