19 Nëntor 2024

Obama mbron politikat ekonomike të SHBA-ve

New Orleans , 10 nëntor - I ballafaquar me përqindjet më të ulëta të mbështetjes publike që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barak Obama shkoi dje në New Orleans të Luizianës për të folur për sfidat ekonomike të vendit.

Presidenti po ndeshet me skepticizëm në rritje lidhur me problemet që po shoqërojnë zbatimin e programit për kujdes shëndetësor.

Presidenti doli para publikut pranë portit të New Orleansit për të folur për temat që kanë kryesuar axhendën e politikës së tij të bredhshme: sukseset dhe sfidat ekonomike.

Ndër sukseset përfshihen 7.8 milionë vende të reja pune, ulja e deficitit dhe kostos së kujdesit shëndetësor dhe fuqizimi i industrisë së automjeteve dhe tregut të shitjes së shtëpive.

Ndër sfidat përfshihen problemet e vjetërimit të infrastrukturës, mbështetja e klasës së mesme dhe investimet në arsim. Një tjetër sfidë: ajo që Presidenti Obama e cilësoi si “cikli konstant i krizave të sajuara” nga qarqet politike në Uashington.

Një ndër goditjet e forta ishte mbyllja e pjesshme e qeverisë që zgjati për 16 ditë si rezultat i mospajtimeve me republikanët për shpenzimet dhe rritjen e nivelit tavan të borxhit:

\"Gjatë verës ekonomia u forcua me ritmet më të shpejta prej një viti. Ishte lajm i mirë. Por lajmi i keq është se sapo përfundoi tru-mujori ekonomik, disa politikanë në Uashington vendosën të mbyllin qeverinë dhe të braktisin detyrimet financiare të Amerikës për herë të parë në më shumë se 200 vjet. Sapo ingranazhet e ekonomisë fillojnë të lëvizin, dikush shtyp frenat dhe e bllokon”.

Zoti Obama tha se nuk ka dyshim që mbyllja e qeverisë dëmtoi përpjekjet për vende të reja pune dhe mund të ndikojë në shifrat ekonomike që do të publikohen në të ardhmen. Departamenti i Punës thotë se 204 mijë vende të reja pune u hapën në tetor, por ritmet e papunësisë u rritën duke arritur në 7.3 për qind.

Presidenti nënvizoi përsëri synimet e tij për shtimin e eksporteve amerikane dhe të produktivitetit dhe konkurrencës. Ai i bëri thirrje Kongresit të miratojë reformat në imigracion, megjithëse analistët nuk parashikojnë që do të ketë ndonjë arritje këtë vit.
 
Vizita e Presidentit në Nju Orlins të Luizianës dhe Majami të Floridas zhvillohet në kuadër të një numër udhëtimesh që zoti Obama do të bëjë në qytete të ndryshme të vendit për të gjeneruar mbështetje për politikat e administratës dhe për të grumbulluar fonde për demokratët.

Por anketat e zhvilluara nga organizata Pew Research tregojnë se Presidenti gëzon mbështetjen e vetëm 41 për qind të publikut. Kjo shifër përfaqëson një rënie prej 14 për qind krahasuar me një vit më parë.

Në një intervistë të enjten për rrjetin NBC, zoti Obama u kërkoi ndjesë amerikanëve që kanë ndeshur probleme në faqen elektronike të kujdesit shëndetësor, në përpjekje për të blerë plane sigurimesh për shëndetin:

\"Përgjegjësia në fund të fundit bie mbi mua. Unë jam presidenti. Ky është ekipi im. Nëse ka probleme, barra bie mbi mua që t’i ndreq”.

Dje Presidenti i doli përsëri në mbrojtje programit për kujdes shëndetësor, pas sulmeve të republikanëve të cilët janë përpjekur disa herë të bllokojnë fondet për programin. Presidenti reagoi duke thënë se ligji i ri ishte një masë e drejtë në interes të amerikanëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)