Obama kërkon më shumë punë në zgjidhjen e krizës së borxheve

Berlin, 13 nëntor - Presidenti Barack Obama është në Havai ku po drejton një takim dyditor ekonomik të nivelit të lartë me udhëheqës të Azi-Paqësorit.
Takimi i Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit, APEK-ut mbahet në fillim të një udhëtimi nëntë ditor ku Presidenti synon të forcojë lidhjet e Shteteve të Bashkuara me vende të rajonit të Azi-Paqësorit.
Analistët thonë se Obama po e përdor udhëtimin për të siguruar aleatët se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol kyç në rajon dhe se do të shërbejë si kundërpeshë për statusin në rritje të Kinës.
Presidenti Obama, tha se pavarësisht lëvizjeve për zgjidhjen e krizës së borxheve në Greqi dhe Itali, duhet të punohet më shumë në fuqizimin e Eurozonës dhe në zgjidhjen e problemit evropian.
Këto komente Obama i bëri në një samit për ekonominë të mbajtur në Havaj ku u shpreh pesimist për rritjen ekonomike në Evropë deri në zgjidhjen e krizës së borxheve.
Presidenti amerikan tha se zvogëlimi i rritjes ekonomike në Evropë do të ketë një ndikim mbytës për tërë ekonominë globale.
Duke folur për situatën e krijuar në Itali pas dorëheqjes së Berluskonit, Obama shfaqi shpresën që qeveritë e reja në Itali dhe Greqi do të jenë në gjendje të zbatojnë reforma strukturale dhe tu garantojnë më shumë besim tregjeve.