OAK nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës
Prishtinë, 24 janar - Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) u mirëprit në Komunën e Prishtinës, me qëllim të nënshkrimit të Memorandumit të përhershëm të Bashkëpunimit mes OAK-së dhe Komunës.
Qëllim i nënshkrimit të memorandumit është krijimi i një linje direkte të komunikimit ndërmjet Odës së Afarizmit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës ashtuqë të asistojnë, promovojnë, përkrahin dhe të ngritin nivelin e bashkëpunimit reciprok në mes tyre, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe social.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës Selim Pacolli, përgëzoi OAK-në për shërbimet vazhdueshme që po i ofron në të mirë të biznesit. Ai theksoi se ky memorandum bashkëpunimi do t’i shërbejë shumë bizneseve, pasi do të krijohet një klimë më e mirë e të bërit biznes.
Pacolli shtoi që Komuna e Prishtinës ka prioritet zhvillimin ekonomik dhe do t’i mbështesë vazhdimisht bizneset.
Nënkryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Arsim Selmonmusaj shprehu se ky memorandum do të shërbej që bizneset e përfaqësuara nga OAK të kenë një qasje më të lehtë dhe një shërbim më të mirë në Komunën e Prishtinës.
Selmonmusaj shtoi që Memorandumi është filluar me Komunën e Prishtinës pasiqë është kryeqendër e Kosovës dhe pjesa dërrmuese e bizneseve janë të fokusuara në këtë Komunë.