OAK kërkon pajisjen e bizneseve me pëlqime komunale
Prishtinë, 1 korrik - Kontrollat e paplanifikuara të inspektorëve, mos pajisja e bizneseve me pëlqimin komunal dhe problemet e operatoreve kabllore ishin disa nga çështjet e trajtuara në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me Nënkryetaren e Komunës së Suharekës Mihrije Suka dhe drejtoreshën e Inspeksionit Jehona Rrafshi – Lumi.
Mos pajisja e bizneseve me leje komunale nga viti 2013 edhe pse obligohen të paguajnë qiranë për tokën të cilën e shfrytëzojnë, përveç që nuk do të duhej të ndodhte, po paraqet problem për pajisjen me pëlqim nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, andaj konsiderohet e domosdoshme ndërmarrja e hapave konkret për zgidhjen e këtij problemi theksoi Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi
Tutje Krasniqi shtoi që Komuna e Suharekës është e njoftuar me këtë problem që bizneset po përballen, mirëpo edhe pse kanë premtuar zgjidhjen e saj, ende nuk kanë ndërmarr asgjë.
Anëtari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Hysni Zogaj shtoi që bllokimi i kompanive pas kontrollave pa paralajmërim të realizuara nga inspektorët ka bërë që afër 300 persona të mbesin pa punë dhe njëkohësishtë ka dëmtuar imazhin e bizneseve, ndërsa lidhur me problemin e bizneseve të sektorit gurthyes ai veçoi që është e nevojshme që kontaratat të ripërtërihen.
Përfaqësuesi i biznesit “Dardani” SH.P.K shtoi që është e domosdoshme që të bëhen kontrata unike për të gjitha bizneset dhe se duke pas parasysh bashkëpunimin që kanë me bizneset ndërkombëtare, kontratat duhet të jepën për një periudhë më të gjatë kohore duke pas parasysh natyrën e bashkëpunimit dhe kontratat afatgjata që kanë, prej 25 – 30 vjetësh.
Nënkryetarja Suka falënderoi OAK-në për takimin duke shtuar që në Komunën e Suharekës operojnë afër 3300 biznese dhe se është interes i komunës që këto biznese të zhbllokohen, për këtë arsye do të merret me shumë seriozitet kërkesa për pajisje të bizneseve me leje komunale.
Drejtoresha Rrafshi – Lumi shtoi që aksioni i kontrollave ka qenë i paraparë për tërë territorin e Kosovës, ndërsa lidhur me pajisjen e bizneseve me kontrata theksoi se vullneti nuk mungon për zgjidhjen e saj, andaj shumë shpejtë do të merren hapat e nevojshëm.
Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, anëtari i bordit Hysni Zogaj, koordinatorja Qendresa Ibrahimi, zyrtarja Mirjeta Shala dhe përfaqësuesit e bizneseve Rrahman Gegaj “Enisi” SH.P.K, Naser Binaku “Celi-Ag” SH.P.K, Afrim Binaku “Dardani” SH.P.K dhe Petrit Binaku “Ebaufix”.
Komuna e Suharekës në këtë takim u përfaqësua nga: nënkryetarja Mihrije Suka dhe drejtoresha e Inspeksionit Jehona Rrafshi – Lumi.