OAK kërkon nga MPMS rritje të komunikimit me bizneset
Prishtinë, 12 prill - Delegacioni i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) i kryesuar nga kryetari i bordit, Skënder Krasniqi, e në përbërje nga anëtari i bordit Hasan Gigollaj, koordinatorja Donika Gashi, zyrtarja Qendresa Ibrahimi dhe biznesmeni Mensur Bytyqi, u pritën në takim nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.
Fillimisht z. Krasniqi theksoi rëndësinë e koordinimit më të mirë në mes të Ministrisë dhe përfaqësuesve të bizneseve në mënyrë që së bashku të kontribuojnë në rritjen e punësimit dhe zvogëlimit të rasteve me asistencë sociale.
Problemi me ligjet, ishte njëri nga shqetësimet e radhës që u ngritën në këtë takim, duke theksuar më tutje se Qeveria duhet të krijojë një mekanizëm efekti dhe kundër efekti nga një ligj i caktuar, në mënyrë që ai të mos e dëmtojë zhvillimin.
Miratimi i ligjeve pa mbështetje të bizneseve, miratimi i ligjeve në kundërshtime me ligjet e tjera dhe shumë probleme të tjera kanë berë që në Kosovë ligjet të jenë pengesë e zhvillimit të vendit. Kjo është edhe arsyeja kryesore e mosardhjes së investitorëve të huaj.
Duke e marrë parasysh këtë është jashtëzkonisht e nevojshme rritja e komunikimit në mes të Ministrisë dhe bizneseve, është një nevojë urgjente.
OAK është e gatshme me gjithë kapacitetin e sajë të kontribuojë në ketë drejtim.
Gjatë këtij takimi z. Krasniqi adresoi disa çështje specifike të cilat paraqesin një shqetësim për bizneset. Theks i veçantë iu kushtua ligjit të lehonave, i cili po paraqet një barrë shumë të madhe për biznesin. Si i tillë, ky ligj duhet të jetë stimulues për punësimin e gjinisë femrëore, marrë parasysh faktin se shkalla e punësimit të femrave është vetëm 12%.
“Duke marrë parasysh madhësinë e bizneseve në Kosovë dhe nivelin e punësimit të grave është e domosdoshme dhe urgjente ndryshimi i ligjit të punës si dhe heqja barrës së madhe nga bizneset në Kosovë sepse pushimi i lehonisë është interes nacional për të cilën barrën kryesore duhet ta marrë qeveria e jo biznesi. OAK kërkon që qeveria të paguajë 6 muajt e parë, 70% të pagës ndërsa 3 muajt e tjerë biznesi” – theksoi më tutje z. Krasniqi.
OAK theksoi edhe rastet specifike siç është Kroacia dhe Austria të cilat marrin përsipër pagesën 100% të lehonisë nga ana e qeverisë.
Ministri Reçica falënderoi OAK-në për adresimin e këtyre çështjeve dhe theksoi se problemet me ligje ekzistojnë dhe janë duke punuar në këtë drejtim. Fokusi janë disa çështje të cilat kanë shënuar avancim e të cilat kanë të bëjnë me Reformën në sistemin pensional, ku si qëllim është përfundimi i koncept dokumentit të regjistrit pensional duke kontribuar kështu në rindërtimin e mirëfillt të një sistemi të tillë.
Rëndësia e përcaktimit të shportës familjare tek tatimet në mënyrë që të i ofrohet mbështjetje buxhetit familjar, zbatimi i kritereve tek rastet sociale që të mos përfitojnë edhe ata që nuk janë në nevojë dhe rëndësia e inkorporimit të mësimit teorik dhe pjesës praktike që të aftësohen të rinjët ishin disa nga çështjet e tjera që u ngritën gjatë këtij takimi.
Ministri gjithashtu, theksoi se i është mirënjohës biznesit në vend, dhe u shpreh i hapur për çfarëdo mënyre të komunikimit, me qëllim që bashkëpunimi të jetë në nivel. Ai gjithashtu theksoi se do të jetë i pranishëm në takime të përbashkëta me bizneset, në mënyrë që drejtpërdrejt të i dëgjojë problemet që kanë bizneset me staf profesional.
Aty ku kemi punësim të mirëfillt, ku ruhet e drejta e punëtorit dhe e biznesit do të kemi edhe mirëqenie më të madhe u shpreh ai në përfundim të këtij takimi.
Në fund, të dyja palët u pajtuan për nevojën e rritjes së bashkëpunimit në mënyrë që së bashku të tejkalohen sfidat me të cilat ballafaqohen bizneset.