OAK kërkon nga MFT të ofrohet përkrahje për organizuesit e eventeve
Prishtinë, 2 qershor - Problemet e sektorit të organizimit të eventeve gjatë situatës së pandemisë ishte tema kryesore e diskutimit në takimin e realizuar nga përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës me disa nga bizneset e këtij sektori.
Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi informoi për çështjet të cilat oda ka zgjidhur për bizneset në tërësi,e sidomos avokimin e bërë gjatë kohës së pandemisë. Gjithashtu u shpalosën edhe rekomandimet që OAK ka përcjellur tek institucionet me qëllim të përkrahjes së bizneseve.
Edhe pse sektorit të organizimit të eventeve nuk i’u është ndaluar direkt ushtrimi i veprimtarisë, me vendim të Qeverisë për parandalim të përhapjes së pandemisë është ndaluar organizimi i eventeve, dhe si rezultat i së cilës janë anuluar 60 festivale. Kjo ka bërë që këto biznese të mos kenë për kë të shërbejnë, andaj janë dëmtuar në masë të madhe pasiqë plotësisht janë bllokuar.
Sektori i organizuesve të eventeve konsiderohen si një nga zinxhirët më të mëdhenjë sezonal, pas gastronomisë, e ndër problemet kryesore me të cilat po përballen si pasojë e mos gjenerimit të të hyrave janë pamundësia e mbulimit të pagave të stafit, pagesa e qirasë e shpenzimet fikse. Në këtë po ndikon edhe pamundësia e inkasimit të borxheve të vitit të kaluar, e sidomos mos ekzekutimi i pagesave nga ana e institucioneve për bizneset.
Gjatë këtij takimi u dakorduam që për të tejkaluar gjendjen e rënduar të këtij sektori dhe që të ju mundësohet mbijetes në treg është e domosdoshme që të përkrahen nga ana e institucioneve në këto pika: Subvencionimi i pagave të punonjësve; Subvencionimi i qirasë; Ulja e TVSH-së për operim; Shtyerja e kredit line që këto biznese kanë dhe Shtyerja e tatimeve dhe obligimeve ndaj ATK-së;
Këto masa duhet të jenë së paku një vjeqare, në mënyrë që ky sektor të ketë mundësi të rifillimit të operimit dhe të tejkalohet situata e rënduar në të cilën gjenden, pasiqë për dallim nga sektorët e tjerë që kanë pasur shtyerje për disa muaj, këtij sektori i janë anuluar dhe shyer për 1 vit eventet dhe aktivitetet e parapara.
Lidhur me këto Oda e Afarizmit të Kosovës ka përcjellur një shkresë për Ministrin e Financave dhe Transfereve, në mënyrë që të përfshihen në draftin final të Pakon e Rimëkëmbjes, ashtuqë të sigurohet përkrahja adekuate dhe t'i jepet mundësia që ky sektor të mbijetoj.