Nxitja e punësimit do të jetë prioritet kryesor i MPMS-së
Prishtinë, 9 janar - Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi ka pritur në takim pune sot kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini dhe përfaqësues tjerë të kompanive të ndryshme të kësaj aleance biznesore ku biseduan për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacioneve në mes subjekteve të tregut të punës si dhe krijimin dhe avancimin e marrëdhënieve me partnerët.
Ministri Abrashi gjatë takimit ka bërë të ditur se duke qenë i vetëdijshëm për shkallën e lartë të papunësisë në vend do të bëj çmos që angazhimin dhe qasjen e tij ta orientoj në planifikimin e projekteve të ndryshme për tregun e punës ku synohet të punësohen punëkërkues të sektorëve të ndryshëm me qëllim të një kontributi në zbutjen e papunësisë.
Gjithashtu Abrashi në vazhdim ka thënë se do të angazhohet edhe në ngritjen e kapaciteteve dhe mundësive reale për arsimimin dhe aftësimin profesional për punëkërkuesit, konform kërkesave të tregut të punës, e cila njëherit mbetet një nga sfidat më të mëdha për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Prioritetet e MPMS-së do të orientohen në përmirësimin dhe modernizimin e shërbimeve publike të punësimit në bashkërendim me nevojat e tregut të punës; nxitjen e punësimit përmes zgjerimit të programeve aktive të tregut të punës dhe punësimit; në avancimin dhe modernizimin e sistemit informativ për menaxhimin e punësimit dhe në përsosjen e sistemit informativ të tregut të punës, shtoi Abrashi.
Ndërsa Kryetari i Aleancës kosovare të biznesit Agim Shahini gjatë takimit ka falenderuar Ministrin Abrashi për angazhimin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me bizneset në Kosovë dhe u zotua se marrëdhëniet me Ministrinë e Punës do të jenë në kontinuitet.