NVM-të aftësohen të raportojnë pasqyrat financiare
Prishtinë 16 shtator - Meqenëse udhëzimi administrativ për zbatimin e standardeve ndërkombëtare për raportim financiar për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka hyrë në fuqi që nga Janari 2015, Shoqata e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK) në bashkëpunim me Fondacionin e Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF), ka organizuar punëtori për edukimin e vazhdueshëm profesional të këtyre ndërmarrjeve.
Punëtoria ka filluar më 16 shtator dhe do të zgjasë për tre ditë deri më 18 shtator, 2015 në Hotel Amazona, Kosovë.
Kjo ngjarje ka për qëllim krijimin e kapaciteteve në mesin e kontabilistëve dhe auditorëve të Kosovës dhe rajonit për të implementuar këto standarde. Pjesëmarrësit e punëtorisë janë përfaqësues të organizatave prestigjioze si të Bankës Botërore, USAID-it, Universiteteve si dhe Shoqatave Profesionale nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i zi, Bosnja, dhe Serbia.
Z. Michael Wells, njëri nga ligjëruesit është bashkë-krijues i SNFR-ve për NVM, prandaj ShKÇAK ka konsideruar si thelbësore që njohuritë dhe përvojat e tij të përcillen tek anëtarët dhe bashkëpunëtorët e ShKÇAK për herë të parë në Kosovë.
Për më tepër, Z. Michael Wells është Profesor i Asocuar në departamentin e raportimit financiar pranë Universitetit të Afrikës së Jugut si dhe Udhëheqës i Iniciativës për Edukim të Fondacionit SNK/SNRF. Ndërsa, Znj. Elizabeth Buckley është Menaxhere Projekti e Iniciativës për Edukim të Fondacionit SNK/SNRF.
Punëtoria i dedikohet kontabilistëve, auditorëve, mësimdhënësve të kontabilitetit dhe ligjvënësve mënyrë që ti pajisë me njohuritë që përkojnë me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar. Kjo ndihmon mbarëvajtjen e bizneseve, llogaridhënien, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit në afat të gjatë, theksoi Shaban Muharremi, Kryetar i Këshillit të ShKÇAK.
ShKÇAK vazhdon të bashkëpunojë me organizata ndërkombëtare duke iu përgjigjur nevojave të tregut të Kosovës si dhe rajonit në fushën e kontabilitetit dhe auditimit si dhe fushat që lidhen drejtpërdrejt me këto.