Numri i veteranëve ndër vërejtjet kryesore në Raportin e Progresit
Prishtinë, 10 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, të kryesuar nga shefi i këtij misioni, Jacques Miniane.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm zëvendëskryeministrat Hajredin Kuçi e Ramiz Kelmendi, si dhe ministrat Avdullah Hoti e Arban Abrashi, u bisedua për të arriturat në fushën e zhvillimit ekonomik, rezultatet e reformave fiskale, ambientin e të bërit biznes si dhe për stabilitetin buxhetor në vend.
Kryeministri Mustafa e njoftoi delegacionin e FMN-së për arritjet e Qeverisë së Kosovës, për projeksionet buxhetore dhe realizimin e tij të suksesshëm.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa falënderoi për mbështetjen e deritashme duke theksuar përkushtimin për bashkëpunim të mëtejmë me FMN-në, si dhe vazhdimin e programit me këtë institucion të rëndësishëm financiar.
Shefi i Misionit të FMN-së për Kosovën, Jacques Miniane, vlerësoi progresin në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë për adresimin e çështjeve me qëllim të zhvillimit ekonomik.
Misioni vlerësoi hapat që koalicioni qeveritar ka ndërmarrë gjatë propozimit të Ligjit për Buxhetin për vitin 2017, sipas qëndrimeve të harmonizuara, por si kusht që Kosova të mbetet brenda programit me FMN-në, kërkoi që të adresohen konkretisht masat dhe instrumentet që do të siguronin që vitin e ardhshëm të mos tejkalohet masa e mjeteve për veteranë dhe invalidë të luftës, dhe rregullimi i tyre me ligj, para fillimit të implementimit të Ligjit për Buxhetin.
Rreziku i paqëndrueshmërisë buxhetore, si pasojë e numrit të veteranëve të luftës, është ndër vërejtjet kryesore edhe në Raport të Progresit, prandaj Qeveria mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të gjejë zgjidhje për të tejkaluar situatën e krijuar me fryrje të listave.