Numri i ndërmarrjeve të regjistruara pëson rënie për 9.1 për qind
Prishtinë, 31 janar - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), publikon Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet në Kosovë për tremujorin e katërt (TM4) 2016.
Në tremujorin e katërt të vitit 2016 gjithsej janë regjistruar 2 251 ndërmarrje.
Krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2016) ka një rënie për 9.1% të ndërmarrjeve të regjistruara.
Kurse, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM4 2015) po ashtu ka një rënie për 9.2% të ndërmarrjeve të regjistruara.
Ndërkaq, krahasuar me vitin paraprak (2015) pati një rritje për 6.0% të ndërmarrjeve të regjistruara në vitin 2016.
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me 587 ndërmarrje të regjistruara, 26.1%; prodhimi me 246 ndërmarrje të regjistruara, 10.9%; bujqësia, pylltaria dhe peshkataria me 234 ndërmarrje të regjistruara, 10.4%; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 210 ndërmarrje të regjistruara, 9.3%; aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 179 ndërmarrje të regjistruara, 8.0%; si dhe ndërtimtaria me 177 ndërmarrje të regjistruara, 7.9%. Ndërsa, aktivitetet e tjera marrin pjesë në shkallë më të vogël.
Kategoria e numrit të të punësuarve nga 1 deri 4 të punësuar përbën 2 170 ndërmarrje, ose 96.4% të ndërmarrjeve të regjistruara; kategoria me 5 deri 9 me 54 ndërmarrje të regjistruara ose 2.4%; kategoria me 10 deri në 19 ndërmarrje të regjistruara, ose 0.8%; kategoria me 20 deri 249 të punësuar me 8 ndërmarrje të regjistruara, ose 0.4%; ndërsa në kategorinë 250+ nuk ka asnjë ndërmarrje të regjistruara gjatë këtij tremujori.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron Prishtina me 625 ndërmarrje të regjistruara 27.8%; Ferizaj me 196 ndërmarrje të regjistruara 8.7%; Prizreni me 163 ndërmarrje të regjistruara 7.2%; Gjilani me 123 ndërmarrje të regjistruara 5.5%; Peja me 103 ndërmarrje të regjistruara 4.6%.
Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.