17 Maj 2024

Nuk kanë vizion për zhvillim ekonomik

Prishtinë, 22 maj - Ish-ministri i Energjisë dhe i Minierave, Ethem Çeku, ka thënë se Kosova ka nevojë për kapacitete të reja gjeneruese, të cilat do t’i mbulonin kërkesat aktuale për energji, ashtu edhe projeksionet zhvillimore ekonomike të vendit.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Çeku ka deklaruar se nëse ne vazhdojmë të mos kemi vendimmarrje për ndërtimin e kapaciteteve të reja, atëherë rezultati në fund të ditës do të jetë i barabartë me asgjë.

“Dyshoj shumë se klasa udhëheqëse ka ndonjë vizion edhe për zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Çeku, duke treguar se sa ka qenë në pozitën e ministrit ka përshpejtuar në ndërtimin e kapaciteteve energjetike të vendit.

“Sa isha ministër i Energjisë insistoja që Kosova ta përshpejtonte ndërtimin e kapaciteteve energjetike në mënyrë që ta shfrytëzojmë momentumin e krijuar dhe të bëhemi lojtar i rëndësishëm në rajonin tonë. Mirëpo në atë kohë mesazhi im nuk u kuptua kështu nga shumë aktorë, të cilët sot me dëshirë do ta kthenin prapa kohën”, ka thënë Çeku.

Ish-ministri Çeku ka folur edhe për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Ai ka theksuar se ky proces është komprometuar. “Ky proces është komprometuar jashtëzakonisht, sidomos për shkak të mosaftësisë vendimmarrëse të aktorëve në këtë proces. Në mungesë të kapaciteteve të reja gjeneruese, ne kemi më pak të punësuar në sektorin energjetik, më pak të hyra në buxhetin e Kosovës, më pak energji në dispozicion, më pak zhvillim ekonomik, më pak zhvillim të kapaciteteve njerëzore lokale sa iu përket teknologjive të reja”, është shprehur Çeku.

“Epoka e re”: Z. Çeku, sa e shihni të nevojshëm që Kosova të ketë kapacitete të reja gjeneruese në sektorin e energjisë?
Çeku: Nuk diskutohet më nëse ka nevojë Kosova për kapacitete të reja gjeneruese, sepse ajo është evidente, por se çfarë kapacitete, kjo është pyetja. Ka gati një dekadë që diskutohet, hartohen studime të kushtueshme, por mungon vendimmarrja dhe vendimmarrësit. Në bazë të të gjitha studimeve të hartuara deri më tani është arritur në përfundim se Kosova ka nevojë për kapacitete të reja gjeneruese, të cilat do të mbulonin si kërkesën aktuale për energji ashtu edhe projeksionet zhvillimore ekonomike të vendit. Për mua, ata që zhvillojnë politika të qëndrueshme në sektorin e energjisë mendoj se e kanë një vizion edhe për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Nëse ne vazhdojmë të mos kemi vendimmarrje për ndërtimin e kapaciteteve të reja, sillemi gjithmonë në një qark vicioz, rezultati i të cilit në fund të ditës është i barabartë me asgjë, atëherë dyshoj shumë se klasa udhëheqëse ka ndonjë vizion edhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Sepse zhvillimi energjetik dhe ai ekonomik janë të ndërlidhur jashtëzakonisht me njëri-tjetrin. Ne kemi profesionistë me dije të mjaftueshme për të qenë në gjendje t’i bëjnë ballë një investimi të tillë, i cili është jetik për të tashmen dhe të ardhmen e popullit të Kosovës. Nëse ne nuk i vëmë në dispozicion ato kapacitete natyrore e njerëzore, të cilat potencialisht do t’i mundësonin vendit të qëndronte në këmbët e veta, ne rrezikojmë të jemi vatër e përgjithmonshme krize.

“Epoka e re”: Projekti për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” është stërzgjatur dhe ndryshuar shumë herë. Ka gjasa që ky projekt të dështojë. Ju si ish-ministër mund të dini më shumë se pse po ndodhin këto vonesa në këtë projekt?
Çeku: Siç e kam theksuar me dhjetëra herë deri më tani, ky proces është komprometuar jashtëzakonisht, sidomos për shkak të mosaftësisë vendimmarrëse të aktorëve në këtë proces. Në mungesë të kapaciteteve të reja gjeneruese ne kemi më pak të punësuar në sektorin energjetik, më pak të hyra në buxhetin e Kosovës, më pak energji në dispozicion, më pak zhvillim ekonomik, më pak zhvillim të kapaciteteve njerëzore lokale sa iu përket teknologjive të reja. Pra, në përgjithësi kemi humbur shumë. Fituesit e vetëm në këtë proces janë tregtarët rajonalë të energjisë, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë vakum energjetik që të shesin energji drejt Kosovës me çmime shpeshherë astronomike.

“Epoka e re”: Nëse ndërtohet tash “Kosova e Re”, cilat do të ishin përfitimet e Kosovës?
Çeku: Ne e kemi humbur momentumin ekonomik dhe politik për ndërtimin e kapaciteteve të reja. Po flasim për rreth gjashtë vjet të humbura prej çastit kur për herë të parë është shpallur kërkesa për shprehje të interesit për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese. Siç e dini, shumë zhvillime kanë ndodhur qysh atëherë, të cilat i kanë ndërruar rrënjësisht fizionominë ekonomisë botërore. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në projektin “Kosova C/e RE”, sepse kompanitë më serioze botërore janë tërhequr nga gara, duke e bërë procesin të dështojë herën e parë dhe të stërzgjatet herën e dytë, që jep indikatorë të fuqishëm se procesi nuk po shkon në rrugën e duhur. Megjithatë, unë mendoj se ne duhet të shikojmë seriozisht përpara dhe të rrisim sa është e mundur përfitimet e vendit në këtë proces. Ne duhet të kemi një kontratë të mirë me investitorin, ne duhet të kemi hise dhe zë në proces dhe ne duhet të marrim vendime sa më shpejt të jetë e mundur.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni iniciativën e KEK-ut për rikthimin në punë të Bllokut A2 të TC “Kosova A”, i cili duhet të mbyllet në vitin 2017?
Çeku: Rikthimi në punë i blloqeve të “Kosovës A” është pasojë e drejtpërdrejtë e mosndërtimit të “Kosovës së Re”. E gjendur në një pozitë të rëndë për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike në tregun rajonal, qeveria është detyruar t’u kthehet politikave afatshkurtra, duke bërë kompromise të dhimbshme në dëm të ambientit jetësor. Vendimi për “ringjalljen” e këtij blloku është më tepër një politikë ad-hoc në sektorin energjetik, në mungesë të politikave afatgjata, sesa një zgjidhje e duhur. Një vendim i tillë do të kishte arsyeshmëri nëse do të ndërmerrej para shtatë vjetësh, atëherë kur nëpërmjet rehabilitimit të “Kosovës A” mendohej të mbulohej kërkesa vendore për energji deri në lëshimin në punë të kapaciteteve të reja energjetike. Sot jemi shumë vonë.

“Epoka e re”: Distribucioni dhe furnizimi i KEK-ut pritet të privatizohet këtë vit. Sa janë gjasat që në këtë drejtim të arrihet sukses?
Çeku: Realisht tash e sa vjet KEK-u ballafaqohet me probleme të konsiderueshme në përpjekje për ta stabilizuar biznesin e shpërndarjes së energjisë elektrike te konsumatorët fundorë. Ndonëse ka disa zhvillime pozitive, mbetet shumë për t’u dëshiruar që të arrihen rezultate të kënaqshme. Shumë vende të rajonit kanë ndërmarrë një hap të tillë, të privatizimit të distribucionit, në përpjekje për ta bërë këtë segment të rëndësishëm të sistemit elektro-energjetik të qëndrueshëm financiarisht. Ne jemi të vetëdijshëm për nivelin e humbjeve teknike, për shkak të rrjetit të amortizuar dhe atyre komerciale për shkak të vjedhjeve të energjisë dhe mospagesës së rregullt të saj. Teorikisht mendohet se këto fenomene mund të zvogëlohen dukshëm nëse operimi i këtij segmenti merret në përgjegjësi nga investitori privat, pasi ai mund të investojë në rrjetin fizik si dhe mund të imponojë politika më rigoroze ndaj keqpërdorimit dhe mospagesës së energjisë. Por, këtu qeveria, respektivisht KEK-u, duhet të jenë shumë të vëmendshëm për kushtet e kontratës së privatizimit. Kemi disa praktika në rajon të cilat duhet të na shërbejnë si mësime.

“Epoka e re”: Dihet se vendeve të rajonit i mungojnë mbi 11 milionë kilovatë orë energji elektrike. Sa është i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal ndërmjet vendeve fqinje?
Çeku: Ne jemi anëtarë me të drejta të plota në Komunitetin e Energjisë të Evropës Juglindore, një trup i cili mëton t’i harmonizojë politikat energjetike dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Evropës Juglindore. Pas mbylljes së centraleve në Bullgari në vitin 2007, të cilat kryesisht prodhonin energji për eksport, rajoni ynë kishte një deficit të konsiderueshëm të energjisë. Sa isha ministër i Energjisë insistoja që Kosova ta përshpejtonte ndërtimin e kapaciteteve energjetikë në mënyrë që ta shfrytëzonim momentumin e krijuar dhe të bëheshim lojtar i rëndësishëm në rajonin tonë. Mirëpo në atë kohë mesazhi im nuk u kuptua kështu nga shumë aktorë të cilët sot me dëshirë do ta kthenin prapa kohën.

“Epoka e re”: Së fundmi KEK-u ka marrë një hap për ta reduktuar numrin e punëtorëve, duke testuar punëtorët me përvojë mbi 30 vjet. Është normale që një punëtor me kaq përvojë t’i nënshtrohet testit?
Çeku: Unë nuk dëshiroj të ndërhyj në politikat operuese të një kompanie, e cila besoj se na intereson të gjithëve që të jetë e vetëqëndrueshme financiarisht. Kjo para së gjithash arrihet me njerëz të përgatitur për kërkesat e reja të tregut. Unë konsideroj se një numër më i madh i njerëzve që punojnë në KEK janë profesionistë të dalluar, mirëpo kurdo që menaxhmenti i kompanisë mendon se optimizmi i resurseve njerëzore do të ndikojë në rritjen e performancës së kompanisë, mendoj se duhet ta ketë përkrahjen e bordit mbikëqyrës. Por, nëse ekzistojnë agjenda të fshehura që kanë për qëllim heqjen e njerëzve nga puna me pretekst përgatitjen e tyre profesionale, në anën tjetër të vendosin aty militantë politikë e partiakë, kjo është e papranueshme dhe duhet të luftohet. Kosova ka profesionistë me përvojë dhe të shkathët, të cilët, pavarësisht bindjeve politike, duhet t’u shërbejnë institucioneve ku punojnë, sepse vetëm profesionalizmi e bën të mundur shtyrjen e proceseve përpara.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)