16 Nëntor 2024

Nuk favorizohet prodhimtaria

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 4 maj - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në raportin “Tregjet potenciale për eksport” ka ranguar sektorët me të cilët Kosova ka përparësi eksporti.

Sipas këtij raporti, ka potenciale për rritjen e eksportit në sektorin e bujqësisë, përpunimit të ushqimit, materialeve ndërtimore, përpunimit të drurit, punimeve artizanale dhe turizmit. Përfaqësues të bizneseve kanë thënë se Kosova duhet të fokusohet në zhvillimin e këtyre sektorëve në mënyrë që të ketë kapacitete për tregun e brendshëm dhe për eksport.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se për ta rritur eksportin shteti duhet të krijojë politika më të favorshme fiskale për prodhuesit vendorë në mënyrë që të rritet fuqia e prodhuesve vendorë për t’i plotësuar nevojat vendore, para se të jenë në gjendje të eksportojnë.

“Realisht, Kosova me politikat e deritashme nuk ka treguar gatishmëri të madhe për ta mbështetur sektorin e prodhimtarisë në mënyrë që të ndikojë edhe në rritjen e eksporteve”, është shprehur Zeka. Ai ka shprehur optimizëm se me ligjet e reja tatimore do të mundësohen benefite të shumta. “Besoj se me ligjet e reja tatimore, të cilat do të mundësojnë lirime dhe benefite të shumta tatimore, më në fund do të krijohet kjo mundësi”, ka thënë ai.

Zeka ka potencuar se fuqizimi i sektorit të prodhimtarisë duhet të bëhet ashtu që jo vetëm të plotësohen kërkesat e brendshme, por të jemi në gjendje të eksportojmë. Por, sa iu përket reformave fiskale, ai ka thënë se Qeveria e ka kuptuar mjaft mirë sa është e nevojshme të fuqizohet sektori i prodhimtarisë. “Vetëm krijimi i politikave më të favorshme për ta, lirimet nga detyrimet doganore dhe nga tatimi mbi vlerën e shtuar, makinerive dhe zgjerimi i mëtejmë i listës së lëndëve të para, të cilat duhet të lirohen nga lirimet doganore, i shërbejnë prodhimtarisë. Besoj se po dëshmohet edhe me vepra, jo vetëm me fjalë”, ka deklaruar Zeka.

Kurse nënkryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Burim Piraj, ka deklaruar se që nga nënshkrimi i Traktatit për Tregti të Lirë me vendet e CEFTA-së prodhimtaria në Kosovë në mënyrë të padrejtë dhe aspak të mençur është vendosur në pozitë të pafavorshme. “Paramendoni që edhe sot e kësaj dite në CEFTA Kosova trajtohet si UNMIK. Mendoj se ky ka qenë hapi më i kobshëm historik në dëm të prodhimtarisë së Kosovës. Nga nënshkrimi i këtij traktati rreth e rrotull Kosovës, sidomos në Maqedoni, u bënë investime miliardash dhe punësime të mijëra punëtorëve, të cilët do të prodhonin me qëllimin kryesor, që prodhimet e veta t’i plasojnë në Kosovë”, ka thënë Piraj, duke shtuar:

“Vendi ynë i mbylli sytë kohë të gjatë ndaj kësaj pabarazie, pak nga naiviteti i njerëzve të kyçur në politika ekonomike dhe nga mosdija e tyre se traktati nuk ndalon vendosjen e taksave në produkte finale, kur një shteti i rrezikohet ekzistenca e, pak, ndoshta, edhe nga përfitimet që mund t’i kenë pasur. Ky është paragjykim”.

“Shpesh njerëz që kanë njohuri në shkenca ekonomike, thjesht kurrë nuk kanë arritur ta kuptojnë se si është e mundur që një vend që ka shkëmbim tregtar 90 për qind import kundrejt 10 për qind eksporti, si mund të kyçet në aventurë së cilës i dihet që në fillim bilanci. Nga kjo që u tha më lart kuptohet se prodhimtaria në vendin tonë nuk është sektor për mburrje dhe të gjitha të arriturat që janë bërë janë falë këmbëngulësisë së ndërmarrësve dhe vullnetit të madh të tyre që ta ngrenë ekonominë e vendit tonë”, është shprehur Piraj. Ai ka shtuar se deri në momentin që lënda e parë do të jetë subjekt i taksimit dhe i pagesës avancë të TVSH-së në kufi nuk mund të flitet për kurrfarë përmirësimi.

 “Bujqësia është e vërtetë se është një ndër degët ekonomike shumë të rëndësishme dhe ka potencial të zhvillimit, mirëpo nëse do të flasim me bujqit, do të kuptojmë se me sa shumë probleme përballen ata. Ne sot e kësaj dite nuk kemi arritur t’i mbështetim së paku në kompensimin e dëmit, i cili shkaktohet nga katastrofat natyrore e lëre më nga gjëra të tjera. Është e vërtetë se ka subvencione kohët e fundit, mirëpo unë mendoj se subvencioni është vetëm një nga shumë detyrat që duhet t’i kryejë shteti ynë që të mund të krijojmë bujqësi të mirëfilltë dhe të qëndrueshme me mundësi të gjerë punësimi. Është shumë premtues turizmi dhe mendoj se në këtë drejtim Kosova ka nevojë të ketë promovime të potencialeve ekzistuese”, ka përfunduar Piraj.

Kurse sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Departamenti i Statistikave Ekonomike, Sektori i Tregtisë së Jashtme, të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2015, sa iu përket të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: (60 për qind) të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (7.7 për qind) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (6.3 për qind) plastika, goma dhe artikujt prej tyre, (5.1 për qind) produktet minerale, (4.4 për qind) lëkura dhe artikujt prej saj, (3.3 për qind) tekstili dhe artikujt e tekstilit, (3.3 për qind) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj.

“Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: (15.0 për qind) të importit e përbëjnë produktet minerale, (13.9 për qind) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (10.6 për qind) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (9.8 për qind) produktet e industrisë kimike, (8.7 për qind) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (6.9 për qind) plastika, goma dhe artikuj prej tyre, (6.4 për qind) mjetet e transportit, (5.8 për qind) produktet bimore etj”, është thënë në raport.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)