NPB vazhdon realizimin e detyrave në krye me kryeshefin Ekzekutiv
Prishtinë, 11 janar - Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), ka njoftuar se sot tre persona: Driton Rukiqi politolog, Arsim Gollaku ekonomist dhe Lumnije Rama albanologe janë lajmëruar në Ndërmarrjen Publike Banesore të ashtuquajturit: Anëtarë të Përkohshëm të Bordit të Drejtorëve, të emëruar nga dy anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike nr, 03/L-087.
Vendimi për emërimin e të lartcekurve si anëtarë të përkohshëm të Bordit të Ndërmarrjes Publike Banesore është në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike si dhe Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i njëjti nuk përmban vulën zyrtare të Komunës së Prishtinës, aksionares së vetme të 100% të aksioneve në Ndërmarrjen Publike Banesore, thuhet në komunikatën e Ndërmarrjes Publike Banesore.
Sipas Ndërmarrja Publike Banesore Ligji i ndërmarrjeve Publike nuk njeh termin Anëtarë të Përkohshëm të Bordit, por as Ndërmarrja Publike Banesore nuk ka shpallur konkurs për zgjedhje të Bordit të Drejtorëve, sepse ndërmarrja e ka Bordin e emëruar dhe është funksional.
Organet Komunale nuk kanë arritur ende të formojnë Komisionin Komunal të Aksionarëve në përbërje prej 3 anëtarëve, i cili është përgjegjës për emërimin dhe shkarkimin e Bordit të Drejtorëve.
Ligji për Ndërmarrjet Publike nr, 03/L-087 neni 5, paragrafi 2 e definon se Komisioni i Aksionarëve formohet prej tre anëtarëve, dy nga Asambleja Komunale dhe një nga Kryetari i Komunës.
Andaj përderisa organet komunale nuk e kompletojnë Komisionin e Aksionarëve prej tre anëtarëve, siç e përcakton Ligji për Ndërmarrjet Publike (Neni 5, paragrafi 2), Bordi i tanishëm në përbërje: Lazër Nrecaj kryesues, Shqipe Breznica, Liridon Latifi, Hasrete Canolli anëtarë si dhe Nexhat Kryeziu Kryeshef Ekzekutiv, të zgjedhur me konkurs publik mbeten legjitim dhe funksional, thuhet në komunikatë.
Ndërmarrja Publike Banesore, ka kërkuar nga çdo individ, parti politike apo grupe të caktuar të interesit të përmbahen nga veprimet e kundërligjshme që i ndërmarrin në cilësi të personave zyrtar në emër të: Komisionit të Aksionarëve apo Bordit të Drejtorëve.
Informojmë punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore, të vazhdojnë në realizimin e detyrave të veta në krye me Kryeshefin Ekzekutiv, sepse nuk do të ketë asnjë ndërrim në politikat menaxhuese të ndërmarrjes, derisa të mos kompletohet Komisioni Komunal i Aksionarëve në harmoni me dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Ndërmarrja Publike Banesore nuk duhet të jetë arenë e luftës politike. Ajo duhet të jetë në shërbim të qytetarëve të Komunës së Prishtinës, thuhet në komunikatën e e Ndërmarrjes Publike Banesore të dërguar në emër të Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve Lazër Nrecaj.