Norvegjia e gatshme t'i huazojë 7 miliardë euro FMN-së
Oslo, 22 dhjetor - Norvegjia u shpreh e gatshme sot t'i huazojë rreth 7 miliardë euro Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN në përpjekje për të ndaluar krizën e borxhit në zonën euro, njoftoi kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg.
"Norvegjia i propozoi sot Fondi Monetar Ndërkombëtar një hua prej 55 miliardë koronash për të kontribuar në stabilizimin e ekonomisë evropiane", deklaroi Stoltenberg gjatë konferencës tradicionale gjashtëmujore të shtypit.
Të hënën, vendet e zonës euro ranë dakord për t'i dhënë FMN-së 150 miliardë euro shtesë, në formën e huave bilaterale, për të mbushur arkat e saj.
Objektivi i caktuar gjatë samitit evropian të 8 dhe 9 dhjetorit është arritja e një shume të përgjithsme prej 200 miliardë eurosh, duke u mbështetur në pjesëmarrjen e vendeve të tjera evropiane jashtë zonës euro.
"E bëjmë këtë sepse është në interesin tonë rivendosja e një rregulli sa më të mirë në ekonominë botërore për daljen nga kriza ku ajo është përfshirë aktualisht", theksoi Stoltenberg.