Normat e interesit për kredi në sektorin bankar në Kosovë në trend të rënies
Prishtinë, 2 prill - Sektori bankar në Kosovë që nga koha e pasluftës ka treguar në vazhdimësi stabilitet dhe qëndrueshmëri financiare gjë që ka bërë të reflektoj siguri dhe besim tek qytetarët ndaj institucioneve financiare në Kosovë.
E gjithë kjo është arritur përmes një pune të palodhshme, sfidave dhe problemeve me të cilat ky sektor është ballafaquar, në një ambient afarizmi të vështirë siç është Kosova.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, thotë se të dhënat për sektorin bankar dëshmojnë se ka pasur ngritje të kreditimit, ngritje të cilësisë së ofrimit të shërbimeve në mënyrë graduale por të vazhdueshme dhe njëkohësisht sistemi bankar ka arritur që përkundër sfidave të ndryshme në tregun e Kosovës të mbaj stabil parametrat kryesore të saj.
Këtë e argumentojnë edhe të dhënat e publikuara në baza të rregullta nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), gjë që tregon se ky sektor ka qenë bartës i shumë zhvillimeve ekonomike në Kosovë.
Balija thotë se të dhënat e publikuara nga BQK tregojnë se norma efektive e interesit në kredi nga viti 2010 ka shënuar ulje në nivele të konsiderueshme. Në fund të vitit 2010 norma efektive e interesit ishte 14.31%, përderisa në fund të vitit 2013 kjo normë u zvogëlua në 11.07%.
\"Kjo tregon se vetëm brenda tri viteve mesatarja e interesit për kreditë e lëshuara nga ky sektor është zvogëluar për 3.24%. Ky nivel i konsiderueshëm i uljes së normave të interesit nuk mund të injorohet sidomos kur kemi parasysh ambientin afarist në të cilin vepron ky sektor dhe nivelin e sundimit të ligjit shprehet Balija.