Norma e ulët e kredive rrit investimet
Prishtinë, 10 gusht - Norma mesatare e interesit për kredi në Kosovë, e cila është zbritur në 7.6 për qind, nga njohësit e ekonomisë konsiderohet si mundësi e mirë për rritjen e investimeve.
Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës Hasan Prishtina, Nagip Skënderi, ka thënë për Epokën e re se një ndër parakushtet kryesore për zhvillimin ekonomik janë investimet e reja. Ai ka thënë se të gjitha investimet varen nga ambienti ekonomik që mund të bëjë Qeveria e një vendi. Në këtë drejtim janë edhe politikat kreditore, respektivisht politikat monetare të një vendi, si një nga instrumentet makroekonomike të një shteti që ndikojnë në zhvillimin substancial të vendit dhe të realizmit të objektivave makroekonomike, ka thënë Skënderi. Sipas tij, objektivat makroekonomike janë punëzënia e plotë, zhvillimi ekonomik dhe ngritja e GDP-së.
Skënderi ka bërë me dije se sa më të ulëta të jenë normat e interesit në kredi, aq më shumë do të ketë investitorë. Sa më shumë të ulet norma e interesit dhe sa më tepër të këtë periudhë pushimi, shembull për një periudhë trevjeçare për të mos u kthyer aktiviteti dhe norma e interesit, atëherë arrihet të mbahet krahu i veprimeve të zhvillimeve ekonomike të subjektit ekonomik me të cilin merret, është shprehur ai.
Skënderi ka shtuar se sektori real i ekonomisë është sektori i prodhimeve dhe i mallrave në treg, ndërsa sektori bankar përfshinë kredidhënien, respektivisht politikat kreditore të vendit. Sa më tepër të jenë këto bashkëpunuese që tu paraprijnë qëndrimeve, të jenë të varura nga njëra-tjetra, aq më tepër do ta zhvillojnë vetveten. Mendoj se atëherë investitorët do të vrapojnë pas bankave në mënyrë që të mos kemi rebalanc, ka deklaruar Skënderi, duke shtuar se bankat kanë marrë depozitë dhe nga ana tjetër nuk ka të interesuar që këto depozita ti marrin në formë të huamarrjeve. Për shkak se dallimi ose diferenca mes normës së marrjes dhe dhënies së kredive është katastrofale, ka thënë ai.
Profesori i ekonomisë, Nagip Skënderi, ka thënë se nëse shkon në Maqedoni për të marrë kredi duhet ta regjistrosh biznesin dhe atëherë ai vend nga qarkullimi i parasë do të jetë burim i investimit. Nëse e regjistrojmë biznesin dhe të gjitha obligimet taksative, si dhe qarkullimin e parasë që do të shkojë në shtetet fqinje, atëherë ai vend do të jetë burim kryesor i investimeve. Andaj, sa më shumë të ketë norma të interesit, aq më tepër investitorët do të vrapojnë pas bankave me marrjen e kredive dhe do jenë të interesuara për kohëzgjatjen e kredive në periudhat sa më të gjata kohore për kthim, është shprehur ai.
Skënderi ka bërë me dije se ulja e normave të interesit në kredi do ta rrisë interesimin e investitorëve. Kjo tregon që kemi një treg më të favorshëm për bizneset të cilat janë. Politika financiare, monetare dhe mandej politika me marrëdhënie me jashtë krijojnë një ambient të qëndrueshëm makroekonomik që Qeveria është duke bërë për bizneset, është shprehur Skenderi. Ai ka thënë se statistikat tregojnë se çdo vit kemi largim ose shmangie të bizneseve nga tregu ekonomik për shkak të normave të pafavorshme të interesit, politikave të pafavorshme fiskale, mbështetjes financiare dhe moskrijimit të favorshëm të ambientit makroekonomik.
Kurse nënkryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Burim Piraj, ka thënë se lajmi për uljen e normave të interesit është lajm shumë i mirë në njërën anë e, në anën tjetër, një tregues jo i mirë. Sipas tij, lajmi i mirë është pasi të gjitha subjektet që janë të interesuara për investime do të jenë në gjendje të gjejnë kapital që do tua lehtësonte investimet e tyre dhe do tu ofronte mundësi më të mëdha për të krijuar profit. Mendoj se, përkundër kësaj volitshmërie, vështirë se do të ketë investime domethënëse deri në fund të këtij viti, sepse kemi një shtangim total të politikave ekonomike të cilat do ti paraprinin një zhvillimi aq shumë të pritur ekonomik, është shprehur Piraj, duke shtuar se në Kosovë të gjitha bankat që operojnë janë banka komerciale dhe normat e tyre bazohen në ofertë.
Mendoj se në rastin e vendit tonë oferta dhe kërkesa mund të jenë faktorët kryesorë të rënies së ratave të interesit, sepse kemi një treg të vogël i cili është i ngopur për momentin me prani të shumë bankave të ndryshme, nga ana tjetër kemi kërkesën e një ekonomie që, sipas mendimit tim, për herë të parë në Kosovën e pas luftës do të përjetojë rënie. Mendoj se këta dy faktorë të tregut kanë qenë pikërisht ata që kanë ndikuar në rënien e ratave të interesit dhe në asnjë mënyrë vullneti i mirë i sistemit bankar që është i instaluar në vendin tonë, ka deklaruar Piraj.
Në bazë të dhënave të publikuara nga Banka Botërore, normat e interesit për kredi në vendet e Ballkanit perëndimor në fund të vitit 2014 kanë qenë: Kosova 9.2 për qind, Shqipëria 8.7 për qind, Bosnja dhe Hercegovina 8.7 për qind, Maqedonia 7.5 për qind, Mali i Zi 9.4 për qind dhe Serbia 14.8 për qind.