NLB Prishtina përuroi objektin e ri të selisë qendrore

Prishtinë, 29 mars - Sot më, NLB Prishtina ka përuruar objektin e ri të selisë qendrore të saj në Prishtinë.
Në ceremoninë e përurimit të selisë qendrore të Bankës NLB Prishtina, morën pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore zotëri Bedri Hamza, Kryetari i komunës së Prishtinës, zotëri Isa Mustafa, ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, zotëri Jozef Hlep, Drejtori Gjeneral i NLB Group, Janko Medja si dhe përfaqësues nga selia qendrore të NLB Bankës në Lubjanë, përfaqësues tjerë vendorë e ndërkombëtarë dhe aksionerë të Bankës NLB Prishtina.
Të pranishmëve fillimisht me një fjalë rasti iu drejtua Kryetari i Bordit Udhëheqës të NLB Prishtina, Albert Lumezi i cili tha se përurimi i këtij objekti të ri nuk është një ngjarje e veçantë vetëm për NLB Prishtina, por për të gjithë sistemin bankar në Kosovë.
Përurimi i këtij objekti të ri të NLB Prishtinës, përveçse është një ngjarje e veçantë për NLB Prishtina, është një ngjarje e veçantë dhe shumë e rëndësishme edhe për klientët e bankës, sektorin bankar dhe ekonominë e vendit tonë. Zgjerimi i NLB Prishtinës me një objekt të ri modern, shënon rritjen e mëtutjeshme të saj në tregun e Kosovës dhe tregon përkushtimin e investitorit të huaj NLB Group që edhe në këto ditë të vështira për botën financiare në përgjithësi ti pranoj sfidat e reja në një treg strategjik për NLB Group siç është tregu financiar i Kosovës tha Kryetari i Bordit Udhëheqës të NLB Prishtinës zotëri Albert Lumezi.
Ndër të tjera zotëri Lumezi theksoi se NLB Prishtina ka shtrirë veprimtarinë e saj në gjithë territorin e Republikës së Kosovës duke iu falënderuar besimit të qytetarëve.
Banka e jonë dhe e Juaja, ka të shtrirë veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Kosovës dhe në periudhën pesëvjeçare, duke i falënderuar besimit te vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës, ka arritur të dyfishojë shumën bilancore duke shënuar një rritje mesatare vjetore, prej më shumë se 20% në të gjitha segmentet me relevante të afarizmit bankar.\"
\"Arritjet dhe suksesi i NLB Prishtina, ka bazamentin e vet në shërbimet cilësore, gamen e gjerë të produkteve të ndryshme bankare të dizajnuara sipas nevojave të klientëve, si dhe duke krijuar një raport të veçantë afatgjatë me klientët e bankës, partnerët afarist dhe qytetarët e Kosovës.\"
\"Objektivi dhe misioni primar i NLB Prishtinës është ti kontriboj zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe progresit të shoqërisë sonë duke operuar me përkushtim të madh dhe duke qenë gjithmonë një derë e hapur për qytetarët dhe bizneset në përkrahje drejt realizimit të planeve të tyre afariste dhe vizionit të tyre jetësor tha zotëri Lumezi.
Në këtë ceremoni të përurimit të selisë qendrore të NLB Prishtinës, të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu drejtuan edhe Drejtori Gjeneral i NLB Group , z. Janko Medja, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, zotëri Bedri Hamza si dhe Ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Jozef Hlep.
Vlen të ceket se Banka NLB Prishtina filloi aktivitetin e saj më 1 janar 2008 si rezultat i bashkimit të suksesshëm të dy bankave vendore të cilat gjatë vitit 2007 kishin atraktuar si partner strategjik NLB Gruop duke paraqitur njëherit edhe një ndër investimet më të mëdha të periudhës se pasluftës në shtetin e Kosovës.