02 Nëntor 2024

Njohësit e ekonomisë vendore optimistë për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës

Prishtinë, 28 korrik - Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum virtual ku u diskutua mbi perspektivat për rimëkëmbje ekonomike dhe hapat të cilët duhet të ndërmerren për të siguruar të ardhmen e bizneseve në industri të ndryshme, si dhe evitimin e një krize më të thellë ekonomike e cila do të shkaktonte falimentimin e shumë bizneseve të sektorit privat, veçanërisht të atyre të vogla dhe të mesme.

Financimi për këtë forum virtual u mbështet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe programi i BE-së për Zhvillim të Ndërmarrjeve dhe Lehtësim të Investimeve.

Michael Gold, drejtor menaxhues në kompaninë Crimson Capital theksoi se shumica e programeve të vendosura nga Qeveria por edhe përkrahja nga donatorët ndërkombëtarë janë mjaftë pozitive për ekonominë e vendit, por megjithatë vonesat në implementim e tyre vetëm se rrisin dëmet e shkaktuara.

Sipas Gold, për të trajtuar problemet e bizneseve me likuiditet është mirë të inkurajohet përdorimi i instrumenteve financiare jo tradicionale siç janë mes tjerash faktoringu dhe lizingu, për të cilat rëndom bizneset nuk janë as të vetëdijshme, derisa ekziston edhe korniza ligjore për përdorim të tyre.

Sipas Gold, për të siguruar rimëkëmbje ekonomike Qeveria e Kosovës duhet t’i jap rëndësi menaxhimit të duhur shëndetësor të pandemisë, dhe marrjes së masave për zhvillimin e sektorëve më të ndikuar.

Ai u shpreh mjaft optimist për rimëkëmbjen ekonomike të vendit nëse të gjithë hisedarët japin kontributin e tyre dhe problemet me pandeminë tejkalohen, derisa tha se sektorët si ai i TIK-ut, financave dhe bujqësisë kanë mundësi të mira të fuqizohen.

Leonora Kusari, menaxhere kryesore në departamentin Këshilla për Biznese të Vogla në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, u shpreh e shqetësuar mbi mosveprimin e institucioneve dhe vonesën e implementimit të masave të nevojshme për të mbështetur sektorin privat, duke theksuar se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë veçanërisht të rrezikuara për mbijetesë në këtë kohë.

Sipas Kusarit, Qeveria duhet të reagojë me programe specifike mbështetëse që targetojnë sektorët e veçantë, derisa theksoi se sektori i shërbimeve që ndërlidh në vete shumë biznese të vogla është ndër më të ndikuarit.

Ajo u shpreh se ekziston nevojë për përzierje të instrumenteve të ndryshme financiare dhe krijim të incentivave që inkurajojnë investime, duke përfshirë grantet, derisa tha se jo vetëm proceset e bizneseve por edhe ato të Qeverisë duhet të digjitalizohen urgjentisht.

Kusari potencoi se BERZH ka mjaft instrumente të cilat po mundohet të i vë në përdorim, mirëpo nuk është se po has në kërkesë të tregut për të njëjtat, me ç’rast ritheksoi nevojën për edukim të bizneseve mbi instrumentet e ndryshme financiare që ekzistojnë në vend. 

Ajo tha se bizneset kosovare gjithmonë kanë luftuar për të mbijetuar pa u varur nga ndihma e Qeverisë, por tash është koha që kjo e fundit të ofrojë përkrahje, derisa u shpreh se beson fuqishëm në rimëkëmbjen ekonomike të vendit. 

Besa Ilazi, specialiste për menaxhim të projekteve në zyrën e USAID për rritje ekonomike, theksoi se edhe para shpërthimit të pandemisë në Kosovë një ndër problemet më të mëdha me të cilin është raportuar se përballeshin qytetarët ishte papunësia, andaj situata aktuale vetëm se e ka përkeqësuar këtë fenomen.

Ilazi theksoi se nga këndvështrimi i USAID, shumë ndërmarrjeve duhet ju ofrohet asistencë në mënyrë që të shmanget falimentimi i tyre.

Ilazi potencoi rëndësinë e borxhit publik në këtë situatë kritike, sidomos duke e marrë parasysh se vendi nuk ka politika monetare, ku tha se Qeveria duhet të fokusohet në mënyrat më të mira për të arritur rimëkëmbjen ekonomike.

Sipas saj, çdo lloj zhvillimi për rimëkëmbjen ekonomike pa menaxhim të mirëfilltë të krizës shëndetësore do të jetë i pakuptimtë prandaj të dyja duhet të ndodhin paralelisht. Për fund, Ilazi tha se është e paevitueshme përshtatja ndaj këtij ambienti të ri, andaj ajo është mjaft pozitive për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)