Një grua kryeson listën e australianëve më të pasur
Melburn, 27 maj - Xhina Tinehart e cila është në krye të kompanisë xeherore u bë gruaja e parë që kryeson listën e australianëve më të pasur, publikoi revista financiare BRW.
Xhina Rinehart e ka trashëguar kompaninë e cila merret me industrinë xeherore nga babai i saj dhe e zgjeroi biznesin në sektorin televiziv.
Ajo vitin e kaluar e dyfishoi pasurinë e saj e cila tani arrin 10.3 miliardë dollarë australianë apo 7,6 miliardë euro.
Për herë të parë në 28 vitet e ekzistimit në listën e 200 australianëve më të pasur në revistën BRW një grua zë vendin e parë, deklaroi Endrju Hitkot, botues i kësaj gazete ekonomike.
Pesëdhjetë e shtatë vjeçarja Rinehart në vitin 1992 mori menaxhimin e kompanisë nga babai i saj Lang Henkok, i cili është njëri nga pionierët e industrisë xeherore australiane.
Prej atëherë ajo zhvilloi një zinxhir të minierave në Australinë Perëndimore dhe në shtetin federal Kuinslend.
Rinehart vendin e parë në mesin e më të pasurve e mori nga Frank Loui i cili u pasurua përmes qendrave tregtare, por gjatë rangimit për vitin e kaluar ra në vendin e gjashtë me 4,98 miliardë dollarë australianë.
Në mesin e 200 australianëve më të pasur dominojnë burrat dhe ka vetëm 15 gra.
Siç vëren revista, pronësia e përgjithshme e 200 australianëve më të pasur është rritur për 23 për qind për një vit dhe tani arrin 167,25 miliardë dollarë australianë.